Prishtina ka nisur zyrtarisht programin e biçikletave publike të quajtur “Prishtina Bikes”, duke vendosur biçikleta në dhjetë stacione të ndryshme në qytet.
Kjo iniciativë synon të ofrojë një mundësi të re për transport dhe të inkurajojë përdorimin e biçikletave si një alternativë ekologjike dhe praktike.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka dhënë më shumë detaje për mediat. Ai ka treguar se procesi i montimit të biçikletave në stacione është duke u realizuar dhe se sistemi i regjistrimit dhe pagesës është në fazën e testimit.
“Në këtë javë do të përfundojë montimi i biçikletave, dhe njëkohësisht po testojmë sistemin e regjistrimit dhe pagesës për përdoruesit,” tha Zogaj.
Përdorimi i biçikletave do të jetë ekonomik dhe miqësor për përdoruesit. 30 minutat e para të përdorimit do të jenë falas, ndërsa çdo orë e mëtejshme do të kushtojë vetëm 50 centë.
Për të filluar përdorimin e biçikletave, përdoruesit duhet të regjistrohen paraprakisht në sistemin e caktuar. Ky projekt ka për qëllim të ofrojë një mundësi të thjeshtë dhe të përballueshme për transportin në qytet, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbrojtjen e mjedisit./Katror.info