Festivali i Vallëzimit “Prishtina Dance Week” organizohet për herë të parë në Kosovë nga 12 deri më 16 mars. Kjo ngjarje do të mbledhë artistë, koreografë, dashamirës të vallëzimit nga vende të ndryshme të botës.
Organizatori Rron Haxhiislami, tha se janë dy performanca – shfaqje vallëzimi. Ai tha se kryesisht janë koncentruar në punëtori për të gjithë ata që vijnë në festival, të fillojnë t’i marrin hapat e parë në vallëzim dhe t’i shohin disa lloje të ndryshme vallëzimit.
Rron Haxhiislami në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se njerëzit që merren me vallëzim në Kosovë kryesisht kanë dëshirë të marrin pjesë në festivale jashtë vendit.
Ai tha se në festivalet jashtë vendit cilësia është më e lartë. “Ka instruktorë që merren me këtë punë që njëzet, tridhjetë vjet dhe ka vallëzime të ndryshme që nuk i kemi në Kosovë”, theksoi ai.
Sipas tij, ideja e mbajtjes së Fesitvalit ka qenë sjellja e instruktorëve në Kosovë, për shkak se në shumicën e vallëzimeve që shkohet nga Kosovës kostoja është shumë e lartë.
Po ashtu, Haxhiislami tha se në të ardhmen do të koncentrohet që t’i sjellin në Kosovë shqiptarët që janë të suksesshëm në vallëzim jashtë vendit.
Haxhiislami ka folur edhe për aspektet pozitive të vallëzimit e që, sipas tij, janë të shumta. Njëri ndër to, tha ai, është socializmi i të rinjve dhe të rejave./Katror.info