Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV të martën ka dhënë detaje për planin e komunës për nisjen e procesit të mësimit tërëditor në pesë shkolla. Siç ka thënë ajo, gjithçka është gati për këtë proces e “nëse gjithçka shkon mirë, vitin e ardhshëm shpresojmë ta dyfishojmë numrin”.
Pas katër vitesh, sipas saj, synimi është që të ketë shtrirje në të gjitha shkollat.
Ajo ka thënë se për modelin e mësimit tërëditor janë marrë modele ndërkombëtare dhe modeli që ishte provuar në mandatin e ish-kryetarit Shpend Ahmeti. Sipas saj, dallimi kryesor me këtë projekt të planifikuar vite më parë është që atëkohë është synuar që mësimi tërëditor t’i përfshijë nga klasa e parë deri te e nënta, e me planin aktual mësim tërëditor do të kenë klasat nga e para deri te e pesta, shkruan koha.
“Këtu ka dallim specifik. E planifikojmë deri në të pestën e pastaj kemi lëvizur fizikisht klasat e 6-ta deri të 9-ta në shkollat afër. Në shkollat ekzistuese s’do të jenë më klasat e para dhe të nënta në të njëjtin objekt. Kemi krijuar më shumë hapësirë dhe është më i mundshëm mësimi tërëditor. I kemi marrë sfidat dhe kemi parë a mund të bëjmë ne më ndryshe. Kemi marrë më shumë staf, mjete, më shumë kushte, kemi siguruar shujta të nxehta. Nga gabimet mësohet”, ka thënë ajo.
Lushaku-Sadriu ka dhënë detaje se sa dhe si do të vazhdohet me procesin mësimor. Sipas saj, fëmijët do të dorëzohen në shkolla para orës 8. “Pastaj do të hahet shujta e mëngjesit e do të vazhdohet me kurrikulën bazë dhe detyrat e shtëpisë. Pastaj është dreka, tërësisht e financuar nga Komuna e Prishtinës dhe pastaj me aktivitete të tjera sportive, artin e muzikën dhe aktivitete tjera… në kuadër të planit të përgjithshëm”, ka treguar.
Sipas saj, të gjitha shkollat në këtë proces do të kenë specifika të ndryshme dhe këshillat e shkollave do t’i zgjedhin aktivitetet.
Është planifikuar që fëmijët e klasave të para dhe të dyta do të rrinë më shkurtë në shkolla se ata nga klasët e treta deri te e pesta. Sipas saj, shkollat s’mund të marrin përgjegjësi për të mbajtur tetë orë fëmijët e klasës së parë.
Lushaku-Sadriu ka thënë se kuzhina qendrore që furnizon kopshtet aktualisht, ka punësuar stafin e nevojshëm dhe ka blerë mjetet e duhura për të kryer shërbimin.
Ajo ka thënë se shkollat do të furnizohen me dollapa në klasë. 90 për qind e detyrave të shtëpisë planifikohet të kryhen në shkolla.
Sistemi tërëditor mësimor do të nisë së zbatuari nga 2 shtatori në shkollat “Faik Konica”, “Xhemajl Mustafa”, “Nazim Gafurri”, “Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër” në kryeqytet./Katror.info