Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Prishtina është zgjedhur “Qyteti Evropian i Sportit” për vitin 2024, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Sipas Ramës, kjo do ta bëjë Prishtinën destinacion dhe qendër të shumë aktiviteteve sportive që do të mbahen gjithë vitin 2024.
“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin fantastik se Prishtina është shpallë Qytet Evropian i Sportit për vitin 2024! Ky titull është dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të krijuar një qytet që përqafon jetën e shëndetshme, gjithëpërfshirjen dhe mikpritjen. Na pret një vit i mbushur me ngjarje sportive, angazhim të komunitetit dhe investime në infrastrukturën sportive”, ka thënë Rama.
Bashkë me Ramën të pranishëm edhe Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe skitaren e parë nga Kosova që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, Kiana Kryeziu, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Kujtojmë që pak kohë më parë Prishtina mori një tjetër lajm të mirë, pasi u përzgjidh si nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030. /Katror.info