Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet né njoftimin e Prokurorisë.
Të hënën në mbrëmje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate për media pas ndërprerjes së numërimit të votave në Mitrovicë ka thënë se bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.
Jahir Sumiqi, kryesuesi i PDK-së në QKN Mitrovicë e Jugut, tha të hënën vonë se prokurori i rastit Njazi Rexha ka kërkuar vazhdimin e numërimit, por PDK-ja dhe partnerët e koalicionit të saj do të vazhdojnë me bojkotimin e procesit dhe se sipas tij, nuk do të shkelin ligjin.
Sumiqi përmendi se më shumë se 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë apo nga vendvotimi në vendvotim, të cilat fletëvotime në shumicën e rasteve i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Janë numëruar 35 kuti të votimit ku prej tyre mbi 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë, apo nga vendvotimi në vendvotim. Është një inxhinierik i organizuar që kemi hasur prova të argumentuara gjatë numërimit të votave. Janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, pra numri serik dallon prej numrit të vendvotimit, pra kryesisht fletëvotimet kanë lëvizur nga shkolla “Migjeni” në “Abdullah Shabani” dhe nga Universiteti në shkollën e Zhabarit”, ka thënë Sumiqi.
Ai shtoi se ka edhe fletëvotime me nga dy vula dhe fletëvotime ku nuk përputhet numri serik i fletëvotimit me atë të vendvotimit./Katror.info
















