Një term i ri po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale: “Brezi Sigma”, i përdorur për t’iu referuar fëmijëve që pritet të lindin nga viti 2026 e më tej. Edhe pse nuk ka ende një klasifikim zyrtar sociologjik, emërtimi është kthyer në trend global, veçanërisht në TikTok dhe platforma të tjera të të rinjve.
Sipas përkufizimit që po përdoret online, “Sigma” lidhet me idenë e një brezi që do të jetë jashtë modeleve tradicionale të sjelljes, më i pavarur, më i ndikuar nga teknologjitë inteligjente dhe i mësuar të bashkëjetojë me inteligjencën artificiale që në fëmijëri. Shumë përdorues parashikojnë se fëmijët e këtij brezi do të rriten në një realitet plotësisht të digjitalizuar, ku AI do të jetë pjesë e përditshme e proceseve të mësimit, komunikimit dhe argëtimit, shkruan TP.
Ekspertët e kulturës theksojnë se termi nuk është shkencor, por një fenomen i ngjashëm me mënyrën se si rrjetet sociale kanë “pagëzuar” brezat e mëparshëm. Ndërkohë, sociologët mbeten të kujdesshëm: emërtimet zyrtare për brezat zakonisht bëhen dekada më vonë, kur karakteristikat e tyre janë të matshme.
Megjithatë, “Brezi Sigma” po fiton popullaritet, duke reflektuar një pritshmëri të gjerë se fëmijët e lindur pas vitit 2026 do të rriten në epokën më të përparuar teknologjikisht që shoqëria ka njohur deri tani. /Katror.info











