Dhjetëra miliona punëtorë në të gjithë Europën, e gjetën veten duke punuar në distancë nga shtëpia, gjatë pandemisë COVID në 2020 dhe 2021.
Është një zakon, që shumë e kanë shijuar dhe e kanë vazhduar – veçanërisht pasi punëdhënësit po njohin përfitimet e aranzhimeve fleksibël të punës.
Megjithatë, një studim i ri, që shqyrtoi zakonet e punës në distancë në vende të ndryshme, zbulon se punonjësit kursejnë mesatarisht 72 minuta çdo ditë, duke punuar nga shtëpia, kohë e kursyer nga rruga shtëpi-punë, shkruan Euronews Albania.
Nga ana tjetër, ata ua japin shumicën e “kohës së kursyer” punëdhënësve të tyre, sipas studimit nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike (National Bureau of Economic Research, NBER).
Pjesa më e madhe e kohës së kursyer kthehet tek punëdhënësit
Mesatarisht, ata që punonin nga shtëpia gjatë pandemisë, i kushtuan 40% të kohës së kursyer, për punët parësore dhe dytësore; 34% për kohën e lirë (24 minuta); dhe 11% për aktivitetet të kujdesit për veten apo të tjerët (8 minuta).
“Këto rezultate sugjerojnë se pjesa më e madhe e kursimit të kohës, kthehet tek punëdhënësit, ndërsa fëmijët dhe marrësit e tjerë të kujdesit, përfitojnë gjithashtu,” përfundoi NBER.
Mesatarja Europiane është më e ulët se ajo globale
Koha e kursyer duke mos shkuar në zyrë, varionte nga 51 minuta në Serbi në 102 minuta në Kinë. Ndërsa mesatarja e të gjithë vendeve është 72 minuta, ajo është 65 minuta për 15 vendet Europiane të studiuara. Kjo, në përgjithësi mund të pasqyrojë udhëtime më të shkurtra shtëpi-punë në disa vende Europiane, në krahasim me pjesët e tjera të botës.
Holanda ka kohën më të madhe të kursyer në Europë, 77 minuta. Një tjetër studim i fundit, zbuloi se Holanda është vendi i BE-së me përqindjen më të lartë të punonjësve, që punojnë në distancë.
Koha e kursyer duke mos shkuar në punë, ishte 73 minuta në Mbretërinë e Bashkuar; e ndjekur nga 65 minuta në Gjermani; 63 minuta në Spanjë dhe 62 minuta në Francë.
Përdorimi i kohës së kursyer: 40% e kohës së kursyer shkoi në punë shtesë
Si e shpërndajnë punonjësit kursimin e kohës? Mesatarisht, studiuesit zbuluan se 40% shkon për punë shtesë, primare dhe dytësore. Ky raport varion nga 31% në Gjermani, në 53% në Tajvan, Singapor dhe Malajzi. Mesatarja Europiane është 37%, nën mesatare.
Punonjësit në Francë kalojnë gjysmën e kohës së tyre të kursyer në punë, 44%. Kjo përfshin punët parësore dhe dytësore. Pas Rusisë (46%), Franca ka normën më të lartë në këtë kategori në Europë, e ndjekur nga 40% në Holandë dhe Hungari.
Në Mbretërinë e Bashkuar, njerëzit që punonin nga shtëpia, i kushtojnë punës 38% të kohës së kursyer.
Rritja e kohës së lirë ishte më e lartë në Gjermani dhe Austri
Pjesëmarrësit thanë se ata i kushtuan 34% të kohës së kursyer për kohën e lirë gjatë pandemisë.
Çfarë është koha e lirë? Ajo përfshin aktivitete si leximi ose shikimi i televizorit dhe filmave, si edhe aktivitete në natyrë si sportet, ecja ose kopshtaria.
Kjo normë varion nga 25% në Malajzi në 46% në Gjermani. Gjermania pasohet nga Austria (45%), Spanja (41%) dhe Suedia (40%).
Në vendet Europiane të përfshira në studim, Franca (26%) ka normën më të ulët të kohës së kursyer që i kushtohet kohës së lirë.
Nëse keni fëmijë, i kushtoni më shumë kohë kujdesit ndaj tyre
Thënë kështu, të kesh fëmijë luajti një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e kohës së kursyer, duke mos shkuar në punë. Të jetosh me fëmijë nën moshën 14 vjeç kishte efekte veçanërisht të mëdha. Gratë me fëmijë, i kushtuan 11.4 minuta shtesë nga koha e tyre e kursyer, në krahasim me ato pa fëmijë. Për meshkujt, kjo kohë ishte 9.0 minuta.
A luan rol gjinia?
Studimi i NBER zbuloi se ndryshimet midis burrave dhe grave, në mënyrën se si ata ndanin kohën e kursyer, ishin përgjithësisht modeste. Ndërsa burrat i kushtonin më shumë nga koha e tyre e kursyer punës, diferenca ditore ishte vetëm 2.4 minuta. Burrat gjithashtu, i kushtuan rreth 2 minuta më shumë nga koha e tyre e kursyer, për kohën e lirë, në krahasim me gratë. /Katror.info