Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar sot para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospagesën e pagave dhe vonesat në ekzekutimin e buxhetit të institucionit publik. Protesta u organizua nga Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, Pajazit Krasniqi, tha se RTK po përballet prej muajsh me një situatë të rëndë financiare, pasi buxheti për pjesën e dytë të vitit 2025 — ndonëse i miratuar me ligj — ende nuk është transferuar nga institucionet përgjegjëse.
“Sot është 10 nëntor dhe ne, punëtorët e RTK-së, ende nuk kemi marrë pagat e muajit tetor,” tha Krasniqi, duke theksuar se situata po ndodh në një periudhë tejet të ndjeshme për stafin e transmetuesit publik.
Ai theksoi se, përkundër mungesës së pagave, stafi i RTK-së ka vazhduar me përkushtim realizimin e projekteve madhore kombëtare, si mbulimi medial i zgjedhjeve lokale e balotazhit, ndeshjeve të ekipeve kosovare në arenën evropiane, përgatitjet për programet festive të fundvitit, si dhe Festivalin e Këngës.
“Përkundër gjithë këtij angazhimi, jemi dëshmitarë të një neglizhence të papranueshme nga institucionet e vendit,” tha Krasniqi. “Kjo vonesë po rrezikon funksionimin normal të RTK-së, mirëqenien e punëtorëve dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur dhe të paanshëm.”
Ai kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Presidente së Kosovës, si dhe reagim urgjent nga Kuvendi dhe Qeveria për zhbllokimin e fondeve.
“RTK-ja nuk duhet të mbetet peng i kalkulimeve politike. Buxheti i saj është obligim ligjor, jo dhuratë. Pagat tona duhet të ekzekutohen menjëherë,” theksoi Krasniqi, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë nëse kërkesat nuk merren parasysh.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ndërkohë ka paralajmëruar një protestë të dytë të enjten, para objektit të RTK 1, dhe nuk përjashton mundësinë e grevës së përgjithshme nëse nuk ka reagim institucional.
Në RTK aktualisht veprojnë tri sindikata: Sindikata e Pavarur e RTK-së, Shoqata Sindikale e Radio Kosovës dhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, të cilat të gjitha kërkojnë ekzekutimin e menjëhershëm të buxhetit të miratuar dhe pagesën e vonuar të pagave./RTK/Katror.info
















