Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje mbledhje elektronike, ku mori disa vendime të rëndësishme në fushën financiare dhe menaxhimin e buxhetit.
Mes vendimeve të miratuara, Qeveria ka propozuar që presidentja e Republikës së Kosovës t’i japë autorizim Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për reforma dhe rritje në Ballkanin Perëndimor”. Kjo marrëveshje është ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, Kosovës si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.
Po ashtu, është miratuar kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në buxhet, në ndërmarrjen shoqërore “Çeliku”, në shumën prej 6,405 euro.
Qeveria gjithashtu ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje të fondeve, sipas tabelave të bashkëngjitura në aneksin A dhe B.
Këto vendime synojnë menaxhim më të mirë të fondeve publike dhe mbështetje të reformave ekonomike dhe zhvillimore në vend./Katror.info











