Në fjalën e tij gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian (KPE), kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për një vizion të ri europian, që shkon përtej mbrojtjes ushtarake. Rama propozoi krijimin e një “aleance përtej armatimit”, duke theksuar rëndësinë e investimeve në dije, shkencë, arsim dhe inteligjencë artificiale.
“Nuk duhet të investojmë vetëm te mbrojtja, por te zemrat dhe mendjet që do të mbartin me vete shpirtin e Europës,” u shpreh Rama, duke sugjeruar që KPE-ja të shndërrohet në një platformë të bashkëpunimit shkencor dhe akademik, ku edhe vendet jashtë Bashkimit Europian të bëhen pjesë e këtij vizioni të përbashkët.
Ai theksoi nevojën për të përfshirë të rinjtë në këtë proces rilindjeje europiane dhe për t’u ofruar atyre arsye të forta për të qëndruar dhe kontribuar në tokën europiane. “T’u japim të rinjve të Europës një arsye më të mirë për të qëndruar se sa të flasim vetëm për armë,” tha ai.
Rama e përmbylli fjalën me një mesazh vizionar: “Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje, një kthim në shtëpi. Padyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë dhe etërve tanë.”
Propozimi i kryeministrit shqiptar u mirëprit si një nismë që synon të thellojë bashkëpunimin europian përtej kufijve të BE-së dhe të vendosë dijen dhe inovacionin në qendër të projektit europian të së ardhmes./Katror.info