Nëse kujtojmë ditët e karantinës për shkak të pandemisë COVID -19, mund të na kthehet në kujtesë edhe imazhi i pianistit Redi Llupa me projektet e tij që përmbushën nismën “Unë luaj shqip” (#unëluajshqip).
Redi Llupa, i vlerësuar tashmë si ambasador i muzikës klasike shqiptare në SHBA, me anë të kësaj nisme u bë promovues në shkallë ndërkombëtare në krijimtarinë muzikore të kompozitorëve shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë, shkruan portali Shqiptarja.
Pianisti shqiptar ka spikatur me performancat e tij në Europë, Amerikë të Veriut, Amerikë të Jugut, dhe Azi. Është i përkushtuar ndaj muzikës bashkëkohore dhe bashkëpunon me kompozitorë nga e gjithë bota.
Që nga viti 2015 bashkëpunoi me kompozitorin e madh amerikan George Walker (Xhorxh Uollkër), i cili ishte kompozitori i parë afrikano-amerikan që fitoi çmimin e madh të “Pulitzer Prize for Music” në 1996.
Dr. Llupa ishte pianisti i parë që luajti ciklin e sonatave për piano nga Walker në tërësi, gjithashtu i pari pianist të luante premierën evropiane të ciklit të sonatave.
Dr. Llupa ka marrë pjesë në festivale si: “Festival Baltimore at UMBC”, Maryland; festivali PIANODROM, Tiranë; festivali ReMusica, Prishtinë; “James Madison Contemporary Music Festival”, në Virginia; “New Century Neë Voices” në Vermont; “Foro Internacional de Musica Nueva Manuel Enriquez”, Meksikë, etj.
Si akademik dr. Llupa ka dhënë masterklase dhe ligjërata në universitete si: North Texas University, Teksas; Metropolitan State University, Kolorado; James Madison University, Virxhinia; Universitad de Bellas Artes, Kolumbi, Frost School of Music, Miami, etj.
Dr. Llupa është një nga themeluesit e Kaleidoscope MusArt, një organizatë jofitimprurëse në Miami të Floridas, e cila synon të promovojë fuqimisht muzikën bashkëkohore dhe muzikën klasike të rrallë-dëgjuar, duke i dhënë theksin për mbështetje ndaj interpretuesëve dhe kompozitorëve nga kultura të ndryshme.
Dr. Llupa vazhdon të jetë një mbështetës i përkushtuar ndaj muzikës së kompozitorëve shqiptarë, duke nxitur publikun artdashës në mbarë botën të njihet me muzikën e vendit të tij./Katror.info