Filmi “Krahët e punëtorëve” i regjisorit Ilir Hasanaj u shpall fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A, lajm që u bë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm kinematografik i Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdamit, International Film Festival Rotterdam – IFFR ku dokumentari i shkurtër KRAHËT E PUNËTORËVE i regjisorit Ilir Hasanaj mbrëmë ka rrëmbyer njërin nga çmimet e kategorisë #TigerShortCompetition!
Portretizimi kinematografik i sinqertë i rrëfimeve të Fatmirit, Liridonit, Milazimit, punëtorë të aksidentuar në vendin e punës, e ka shtyrë jurinë ta përzgjedhë dokumentarin si njërin ndër filmat fitues, nga gjithsej 21 filma të kësaj kategorie.
“Momentin kur e ndëgjova jurinë teksa lexonte tekstin e vlerësimit të filmit ka qenë moment shumë emocionues për mua. Nuk e kam pritur të marr një vlerësim kaq të lartë, me herën e parë që marr pjesë në këtë festival. Këtë çmim ua kushtoj punëtorëve e punëtoreve në Kosovë. Shumë prej tyre përballen me kushte të rënda të punës, përjetojnë shkelje për çdo ditë pa mbikëqyrje e mbrojtje. Shpresoj që filmi të ndikojë në sjelljen e një ndryshimi për të mirë”, është shprehur regjisori Ilir Hasanaj”, thuhet në njoftimin e QKK-së.
Ndërkaq për suksesin e Hasanajt i lumtur u shpreh edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.
Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, shkroi Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku./Katror.info