Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se gjatë kësaj jave vendi ynë do të karakterizohet nga kushte të ndryshueshme meteorologjike.
Në fillim të javës, konkretisht të hënën dhe të martën, priten reshje shiu me intensitet të ndryshueshëm, ndërsa në disa zona reshjet mund të jenë më të theksuara.
Nga e mërkura do të ketë përmirësim të përkohshëm të kushteve atmosferike, me mëngjese më të ftohta dhe mundësi për paraqitje të mjegullës në orët e hershme të ditës, sidomos në ultësira.
Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga -2 deri në 8 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 9 deri në 13 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit dhe juglindjes.
Të hënën moti pritet të jetë kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, me temperatura minimale prej 5 deri në 8 gradë dhe maksimale prej 10 deri në 13 gradë Celsius.
Të martën parashikohet mot i vranët me intervale me diell dhe riga lokale shiu, temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 4 dhe 8 gradë, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 13 gradë Celsius.
Të mërkurën pritet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me temperatura minimale që zbresin deri në 0 ose -3 gradë dhe maksimale nga 9 deri në 12 gradë Celsius.
Të enjten parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët, temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 2 gradë, ndërsa ato maksimale nga 9 deri në 13 gradë Celsius.
E premtja do të sjellë mot të qëndrueshëm, me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri në 0 gradë dhe maksimale nga 10 deri në 13 gradë Celsius.
Në përgjithësi, gjatë kësaj jave Kosova do të përjetojë mot tipik vjeshtor, me periudha me diell, vranësira dhe reshje të përkohshme shiu.
















