Panelet diellore janë shtuar në çatitë e ndërtesave dhe në tokë në shumë pjesë të botës. Por ato gjithashtu mund të vendosen edhe në sipërfaqe ujore. Teknologjia diellore lundruese është rritur në një shkallë të madhe në Azi dhe Evropë dhe tani po fillon të përdoret edhe në Amerikën e Veriut.
Një nga risitë më të mëdha për prodhimin e energjisë elektrike janë fotovoltaikët lundrues (teknologjia FPV) që përfshin ankorimin e paneleve diellore në sipërfaqe uji, duke përfshirë liqenet, rezervuarët dhe detet. Disa projekte në Azi përdorin mijëra panele për të gjeneruar qindra megavat energji.
Teknologjia FPV mori hov në Azi, ku ka më shumë kuptim ekonomik pasi toka është më shumë e vlefshme për tu përdorur për bujqësinë. Sipas Sika Gadzanku, një studiuese në Laboratorin Kombëtar të Energjisë së Rinovueshme në Kolorado, projektet diellore lundruese janë edhe më tërheqëse kur mund të ndërtohen në sipërfaqe ujore pranë hidrocentraleve me linja ekzistuese transmetimi.
Panelet diellore lundruese sjellin një tjetër përfitim: ato pakësojnë ekspozimin ndaj dritës dhe ulin temperaturën e ujit, duke minimizuar rritjen e dëmshme të algave.
E gjithë kjo dukej mjaft premtuese për zyrtarët në qytetin Windsor në Kaliforninë veriore. Pesë mijë panele diellore janë tani duke lundruar në një nga pellgjet e ujërave të zeza të qytetit.
Panelet lundruese janë miqësore për mjedisin dhe buxhetin e Windsor-it, ku fatura elektrike e impiantit të ujërave të zeza ishte më e larta, thotë anëtarja e këshillit të qytetit Deborah Fudge, e cila nxiti projektin e 1.78 megavatëve ndaj një alternative tjetër për vendosjen e paneleve diellore në vendet e parkimit të makinave, shkruan VoA.
Qyteti i merr me qira panelet lundruese nga kompania që i instaloi, e cila i jep një çmim të caktuar për energjinë elektrike me një kontratë afatgjatë, që do të thotë se Windsor-i po paguan rreth 30 për qind të asaj që shpenzoi më parë për të njëjtën sasi energjie.
Një liqen në Virxhinia është një nga gati 25,000 sipërfaqet ujore të krijuara nga njeriu në Shtetet e Bashkuara të identifikuara nga një studim qeveritar si të përshtatshme për vendosjen e FPV-ve. Panelet lundruese në një të katërtën e sipërfaqes së secilit rezervuar të tillë, do të gjeneronin gati 10 për qind të nevojave të Amerikës për energji.