Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë – Qershor 2025”, i cili ofron një pasqyrë të detajuar mbi ndërmarrjet e regjistruara gjatë këtij muaji. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë qershorit janë regjistruar gjithsej 1,151 ndërmarrje të reja në vend, duke shënuar një rritje prej 43.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Katror.info.
Aktivitetet ekonomike më të përfaqësuara kanë qenë tregtia me shumicë dhe pakicë, industria përpunuese, shërbimet profesionale dhe teknike, ndërtimtaria, si dhe sektori i akomodimit dhe shërbimeve ushqimore. Këto të dhëna dëshmojnë për një rritje të interesimit të qytetarëve dhe investitorëve për të hapur biznese në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Regjioni i Prishtinës vazhdon të jetë epiqendra e zhvillimeve ekonomike në vend, duke përfaqësuar 49.7% të ndërmarrjeve të regjistruara për këtë muaj. Ky koncentrim i bizneseve në kryeqytet tregon për rolin e tij udhëheqës në ekonominë kombëtare.
ASK thekson se ky publikim është një burim i rëndësishëm për hulumtime, hartimin e politikave zhvillimore dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna, duke ndihmuar institucionet dhe palët e interesuara të kuptojnë më mirë trendet në strukturën e bizneseve në Kosovë.
Raporti i plotë është i qasshëm në faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës: ask.rks-gov.net.
/Katror.info