Një ditë, si shumë njerëz, ju mund të dëshironi t’i jepni karrierës tuaj një drejtim të ri. Le të themi që kjo mundësi trokit në derën tuaj në moshën 30 vjeçare. Si do të reagoni?
Sigurisht se nuk është e lehtë të shkosh në një udhëtim të ri pas një karriere që zgjati për shumë vite. Sidoqoftë, kur të vijë dita dhe ju dëshironi të filloni një udhëtim të ri, ka disa truke që ju nevojiten për fillim të mbarë në karrierën e re.
Ju keni mësuar shumë për veten tuaj që nga zgjedhja e parë e karrierës suaj, në moshën 18 vjeç mbase një ose dy vite më vonë. Nëse do të kishte një shans për ta bërë atë përsëri, ndoshta ju do të zgjedhnit diçka tjetër. Lajmi i mirë është se ju mund ta bëni atë, vetëm se duhet të keni guxim dhe besim në vete.
Pse mosha 30 është kohë e përshtatshme për një ndryshim në karrierë?
Sikur shumë njerëz të tjerë edhe ju mund të planifikoni të dilni në penzion në moshën 65 vjeç, që do të thotë se keni edhe 35 vjet punë përpara jush. Meqenëse për shkak të nevojës financiare është duke u bërë gjithnjë e më e zakonshme të vazhdoni punën më gjatë, mund të keni edhe më shumë se 35 vjet. Ka kuptim të gjeni një profesion që do të shijoni ta bëni të paktën tre dekada të tjera.
Bërja e një ndryshimi në karrierë në çdo moshë, pa dyshim se do të ndikojë në jetën tuaj, marrëdhënie, madje edhe në shëndet. Mirëpo, përderisa largoheni nga puna që nuk ju pëlqen drejt një karriere të kënaqshme, ndikimi padyshim që do të jetë pozitiv.
Ndryshimi i karrierës bëhet gjithnjë e më i vështirë pasi që përgjegjësitë tona zakonisht shtohen së bashku me vitet. Shumë individë nuk kanë aq shumë përgjegjësi në moshën 30 vjeç siç do të kenë potencialisht kur të jenë 40 ose 50 vjeç.
Si të filloni një ndryshim në karrierë në të 30-tat?
Pasi të vendosni të bëni një ndryshim, lëvizja juaj e ardhshme është të përcaktoni se çfarë karriere doni të ndiqni. Mos u dekurajoni nëse nuk dini ende se në çfarë fushe dëshironi të vazhdoni karrierën tuaj. Janë disa hapa që duhet të ndërmerrni, e që mund të ju ndihmojnë të kuptoni se cilat janë interesat tuaja. Mësoni së pari për veten duke bërë një vetëvlerësim, që është pjesë thelbësore e procesit për planifikim të karrierës. Shikoni llojin tuaj të personalitetit, interesat dhe vlerat që lidhen me punën. Edhe nëse keni bërë vetëvlerësim kur keni qenë më i ri, bëjeni përsëri. Si një 30-vjeçar/e, përgjigjet dhe pikëpamjet tuaja do të jenë shumë më ndryshe në krahasim me ato sa ishit më të rijnë. Pas përfundimit të këtij hapi, ju analizoni një listë të profesioneve që janë të përshtatshme në bazë të tipareve tuaja.
Hulumtoni në lidhje me detyrat e punës, perspektivën e punës, të ardhurat dhe kërkesat arsimore dhe trajnuese. Vlerësoni secilën mundësi në mënyrë që të vendosni se cila karrierë është e përshtatshme dhe cila jo.
Disa nga mangësitë që mund të ketë ndryshimi i karrierës në moshën 30 vjeç
Bërja e një ndryshimi në karrierë mund të vijë me një kosto, pavarësisht nga mosha juaj. Nëse keni vëmendjen tuaj në një karrierë që kërkon shkollim ose trajnim shtesë, mund të kërkojë që të hiqni dorë nga puna juaj. Kjo do të thotë që ju mund të jeni të papunë dhe pa të ardhura të rregullta, derisa të jeni plotësisht të përgatitur për të hyrë në profesionin tuaj të ri.
Ju gjithashtu do të duhet të financoni arsimimin tuaj. Para se të filloni një ndryshim në karrierë, sigurohuni që keni kursime të mjaftueshme. Mund të jetë ide e mirë të shpenzoni pak më shumë kohë në profesionin tuaj aktual, përderisa kurseni para për të financuar tranzicionin tuaj./AkademiPune