Edon Zhegrova është përforcimi i ri i Juventusit. Lojtari nga Kosova kalon në Torino, duke firmosur një kontratë që e lidh me klubin deri në vitin 2030.
Shuma bazë e transferimit është 14.3 milionë euro, e pagueshme në katër vite, ndërsa bonuse të mundshme arrijnë deri në 1.2 milionë euro dhe shpërblime shtesë për objektiva sportive deri në 3 milionë euro.
Skuadra italiane e ka zyrtarizuar të hënën mbrëma transferimin e Zhegrovës nga klubi francez, Lille.
Zhegrova transferohet në Serie A në moshën 26-vjeçare, ndërsa shpresohet se do të jetë i suksesshëm në njërën prej top-ligave evropiane.
Zhegrova ka nisur karrierën në Kosovë, ndërsa më pas është zhvilluar edhe te Standard Liege dhe Sint-Triuden në Belgjikë.
Në nivelin e të rriturve nisi te Genku, po ashtu në Belgjikë. Më pas luajti te Baseli në Zvicër, kurse prej vitit 2022 ishte te Lille. Tani do të luajë për gjigantin italian, Juventus.
“Pas tri vjet e gjysmë, 107 ndeshje dhe 26 golave në të gjitha garat, Edon Zhegrova largohet nga Lille për Juventusin. Dy klubet dhe lojtari janë pajtuar për të transferuar sulmuesin e Kosovës”, ka shkruar Lille.
Edon Zhegrova ka folur shkurt në paraqitjen e tij të parë si lojtar i Juventusit.
“Të jem i sinqertë, është si një ëndërr për mua. Është një moment i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time. Jam shumë krenar dhe ndihem i nderuar që barti këtë fanellë. Do ta mbaj këtë fanellë me shumë krenari dhe do ta jap më të mirën për skuadrën”, ka thënë Zhegrova për faqen e klubit.
Zhegrova që e ka nisur karrierën e tij profesionale te Genk, më pas u transferua te Basel, ku u dallua për aftësitë teknike dhe kapacitetin për të kapërcyer mbrojtësit kundërshtarë. përcjell Telegrafi.
Në vitin 2022 ai iu bashkua Lille, ku spikati për driblimet, pasimet dhe ndikimin në golat e skuadrës.
Me Kombëtaren e Kosovës, Zhegrova është një lojtar kyç për disa vite.
Në sezonin 2021/22 deri në fillimin e këtij sezoni, Zhegrova ka kryer 181 driblimet më shumë se çdo lojtar tjetër i Lille. Ai ka qenë aktiv në 27 gola (15 gola + 12 asistime), vetëm Jonathan David ka kontribuar më shumë. /Katror.info