Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka vlerësuar lart mesfushorin shqiptar Ardon Jashari pas transferimit të tij të bujshëm nga Club Brugge te gjiganti italian, Milan.
Në një intervistë për gazetën italiane La Gazzetta dello Sport, Yakin e përshkroi 23-vjeçarin si një futbollist modern me cilësi të larta fizike dhe teknike.
“Mesfushor modern me kualitete të larta fizike e teknike. Më së shumti tek Ardoni më ka pëlqyer karakteri i tij. Ai punon fort, është ambicioz dhe e ka karakterin e liderit”, u shpreh Yakin.
Trajneri zviceran theksoi se nuk është i shqetësuar për përshtatjen e Jasharit te Milani, duke e krahasuar situatën me Charles De Ketelaere, i cili pati vështirësi në sezonin e tij të parë në “San Siro”.
“Nuk shqetësohem për këtë gjë. Në moshën 19-vjeçare ai ishte kapiten te Luzerni dhe në vitin e tij të parë larg Zvicrës, ai i ka impresionuar të gjithë, madje edhe në Ligën e Kampionëve. Ai e ka personalitetin dhe mentalitetin për të bërë mirë te Milani dhe të bëhet futbollist i klasit botëror”, shtoi ai.
Ardon Jashari pritet të sjellë freski dhe dinamizëm në mesfushën e kuqezinjve, ndërsa te Milani shpresojnë që transferimi i tij të rezultojë sukses afatgjatë./RTK/Katror.info