Seriali Percy Jackson and the Olympians u shfaq premierë javën e kaluar në shërbimin e transmetimit Disney+ dhe në gjashtë ditët e para u shikua nga 13.3 milionë shikues, raporton Variety.
Dy episodet e para u publikuan më 19 dhjetor, dhe episodet e reja dalin çdo të martë. Sezoni i parë i serialit ka gjithsej tetë episode.
Disney ka konfirmuar se seriali Percy Jackson dhe Olympians pati një nga premierat më të suksesshme këtë vit në shërbimin Disney+. Për hir të krahasimit, premiera e serialit hit Ahsoka u shikua nga 14 milionë shikues brenda pesë ditëve, ndërsa premiera e sezonit të dytë të serialit Loki u shikua nga 10.9 milionë shikues në tre ditë.
Megjithëse të dy serialet tejkaluan Percy Jackson dhe Olympians, është e rëndësishme të theksohet se seritë Ahsoka dhe Loki janë të destinuara për një audiencë më të gjerë dhe janë pjesë e ekskluziviteteve të suksesshme të filmave, ndërsa audienca kryesore e Percy Jackson janë adoleshentët më të rinj.
Po kështu, divizioni i Disney, Televizioni i markës Disney, i cili është përgjegjës ekskluzivisht për prodhimin e përmbajtjeve të destinuara për fëmijë, adoleshent dhe familje, konfirmoi se Percy Jackson kishte premierën më të ndjekur në historinë e atij departamenti.
Percy Jackson dhe Olympians është një përshtatje e serisë së romaneve fantazi me të njëjtin emër të shkruar nga Rick Riordan. Seriali ndjek aventurat e gjysmëperëndisë 12-vjeçare Percy Jackson, djalit të perëndisë Poseidon dhe miqve të tij: Annabeth Chase, vajza e perëndeshës Athena dhe Grover Underwood.
Në sezonin e parë të serialit Disney, Percy akuzohet se ka vjedhur rrufenë e Zeusit, prandaj ai dhe miqtë e tij duhet të gjejnë hajdutin e vërtetë në mënyrë që të provojnë pafajësinë e tij dhe të rivendosin rendin në Olimp.
Rolet kryesore në serial i luajnë Walker Scobell, Leah Sava Jeffries dhe Aryan Simhadri, ndërsa në rolet dytësore shohim Virginia Kull, Glynn Thurman, Jason Mantzoukas, Megan Mullally, Timm Sharp, Lin-Manuel Miranda, Lance Reddick e shumë yje të tjera.
Seriali i Riordan u adaptua për herë të parë në vitin 2010, kur u publikua filmi Percy Jackson & the Olympians: The Lightning Thief. Tre vjet më vonë, u publikua një vazhdim i quajtur Percy Jackson: Sea of Monsters. Edhe pse filmat ishin hite komerciale, ata u kritikuan për ndryshime të shumta nga materiali burimor.
Por këtë herë, Riordan ishte një nga krijuesit e serialit, së bashku me Jonathan E. Steinberg, prandaj përshtatja e re i qëndroi besnik romaneve të tij, pavarësisht ndryshimeve të vogla.
Percy Jackson and the Olympians aktualisht mban një 96% në Rotten Tomatoes, ndërsa mban një rezultat prej 73 nga 100 në Metacritic./Katror.info