Kosova dhe Zvicra do të përballen sonte në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Pritet të jetë një ndeshje jashtëzakonisht interesante, me ‘Dardanët’ që kërkojnë befasinë ndaj kombëtares helvete.
Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 20:45, me atmosferën që pritet të jetë fantastike në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri u treguan shumë të emocionuar për ardhjen e tyre në Kosovë, me dy futbollistët shqiptarë që kanë shkëlqyer tek sukseset e arritura nga Zvicra në vitet e fundit.
“Ishte gjithmonë ëndërr që të luaj një herë në Kosovë aty ku kam lindur. Do ta shijoj çdo sekondë”, ka shkruar Shaqiri në një postim në ‘Instagram’.
Ndryshe, rreth 700 tifozë të Zvicrës pritet të jenë të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri”. Kështu ka shkruar të premten sajti zyrtar i Federatës së Futbollit të Zvicrës.
“Të dy përfaqësueset presin atmosferë pasiononte por paqësore në ‘Fadil Vokrri’”, ka shkruar federata zvicerane.
Zviceranët kanë shkruar se ndeshja do të jetë delikate për shkak të lidhjes që kanë lojtarët me vendet e përfaqësueseve rivale. Për Zvicrën do të jetë ndeshja e 848-të. Gjatë konferencës për gazetarë të premten, një pyetje e bëri Granit Xhakën dhe trjanerin zviceran Murat Yakin “të shkrihen së qeshuri”
“Trajneri tha që kanë ardhur për fitore, por si kapiten a po e zgjat dorën për një barazim” ishte pyetja që solli shumë të qeshura në konferencën për media të kapitenit të Zvicrës, Xhaka, dhe përzgjedhësit Yakin, para ndeshjes me Kosovën.
Pyetja e gazetarit të KOHËS, Tahir Sopi, megjithatë nuk mori përgjigje nga Xhaka që shkurt duke qeshur tha se “nuk ka përgjigje”.
E përzgjedhësi Yakin më i matur u shpreh se “mund të jemi miq para dhe pas ndeshjes”./Katror.info