Është një prej këngëve më avangarde të muzikës shqipe. Për çka s’flet e me çka s’merret por të gjitha i bën si një rrëfim tejet qesharak e simpatik. Por, jo çdo pjesë e saj na bën të qeshim, diku thumbat na godasin, diku na vjen keq për gjendjen për të cilën flet e diku thjesht grupi “Minatori” të lë pa koment.
Është intrigues që në titull, “Shfletoj gazetën”. Kur e dëgjon ta jep bindjen se do stacionohet veç te ndonjë çështje aktuale të politikës, por ngërthen shumë më shumë se kjo.
Nën zërin e Naser Gjinovcit, personalja përzihet me politikën, patriotizmi me ndërkombëtaren e ironia me humorin.
“Lexoj deklarata nga disa patriot, gazetar, shkrimtar, poet e budallë. Vuatjet e tyre për komb janë pandarë, kur të folsh me ta të duket vetja shka”, është një prej rreshtave që është aktuale në çdo kohë.
Përsëritja simpatike e refrenit “Pse shkove ti”, e pasuar me rreshtat e fushave përtej dashurisë është simbolikë e një pështjellimi, i cili nën ritmin e rokut bëhet edhe më kulminant.
“Sot shkove ti athua askush nuk mbet, sikur dikush ma vodhi këtë qytet, sot dielli lindi dhe do të perëndo, mos mendo se më more në qafë, se për ty do të masturboj”, është piketimi i gjithë këngës, e cila vjen si çarje hallesh personale dhe mbyllje problemesh kolektive.
“Shfletoj gazetën” është një prej këngëve më të famshme të grupit “Minatori” të cilët përbëhen nga vokalisti Naser Gjinovci, kitaristët Mufail Limani e Agim Berisha, në bateri Petrit Riza dhe në tastierë Valton Beqiri. / Katror.info