Shkencëtarët e Harvardit pretendojnë se kanë zbuluar një koktej kimik që mund të ndryshojë procesin e plakjes – një zbulim që mund të çojë në krijimin e një “pilule rinie”. David Sinclair, një shkencëtar nga Harvardi, ndau gjetjet në numrin e korrikut të revistës mjekësore Aging, shkruan New York Post, përcjell Katror.info.
– Ne kemi vërtetuar më parë se përtëritja është e mundur duke përdorur terapi gjenetike, domethënë duke aktivizuar gjenet embrionale. Tani e kemi vërtetuar se është e mundur edhe me kokteje kimike, që është një hap drejt rinovimit të të gjithë trupit, ka shkruar Sinclair në Twitter.
Çdo koktej kimik përmban nga pesë deri në shtatë agjentë, shumë prej të cilëve dihej se trajtonin disa çrregullime fizike dhe mendore. Barnat me recetë si acidi valproik, tranilcipromina dhe pramipeksoli shfaqen në disa kokteje dhe përdoren me sukses për të trajtuar krizat, depresionin dhe sëmundjen e Parkinsonit.
Profesori i gjenetikës dhe autori i librit “Lifespan” shpjegoi se ai dhe ekipi i tij punuan për më shumë se tre vjet për të gjetur një kombinim molekulash që do të kthejnë procesin e plakjes së qelizave, domethënë t’i rinovojnë ato. Nëpërmjet eksperimenteve në minj dhe majmunë, ata arritën të identifikojnë gjashtë kokteje kimike që mund të ndryshojnë shenjat vizuale të plakjes në më pak se një javë.
– Studimet mbi nervin optik, indin e trurit, veshkat dhe muskujt kanë treguar rezultate premtuese, me përmirësim të shikimit dhe rritje të jetëgjatësisë tek minjtë, dhe së fundmi ne kemi vërtetuar edhe përmirësim të shikimit te majmunët, tha ai.
Ai vuri në dukje se ata janë duke u përgatitur për provat klinike njerëzore dhe shtoi se studiues të tjerë po përpiqen gjithashtu të tregojnë se kimikatet mund të rinovojnë qelizat siç mundet terapia gjenetike. /Katror.info