Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë sot një hap të rëndësishëm drejt avancimit të programeve rehabilituese duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Edukim dhe Hulumtim Nexus. Ky partneritet realizohet për herë të parë që nga themelimi i SHKK-së dhe synon të rrisë efektivitetin dhe cilësinë e programeve për të burgosurit.
Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismajl Dibrani, ka bërë të ditur se gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë reforma të thella në programet rehabilituese, duke shumëfishuar numrin e të burgosurve të përfshirë dhe duke u fokusuar tek aftësimi, zhvillimi personal dhe rikthimi i shëndoshë në shoqëri.
Sipas Dibranit, marrëveshja e sotme shënon një hap të ri dhe shumë të rëndësishëm në disa fusha:
- Vlerësimin dhe matjen shkencore të efektivitetit të programeve rehabilituese;
- Zhvillimin e hulumtimeve profesionale brenda institucioneve korrektuese;
- Mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit përmes trajnimeve të standardeve ndërkombëtare;
- Vendosjen e një sistemi modern, të bazuar në evidencë dhe rezultate konkrete.
Ky partneritet realizohet me një ekip profesionistësh të shkolluar në Kosovë, Evropë dhe SHBA, dhe pritet të ndihmojë në ndërtimin e reformave të qëndrueshme dhe të matshme në Shërbimin Korrektues, duke siguruar një sistem modern, transparent dhe të orientuar drejt rehabilitimit real.
Dibrani theksoi se SHKK po punon për të arritur standardet më të larta profesionale, me qëllim përmirësimin e sigurisë publike dhe mbështetjen e integrimit të suksesshëm të të burgosurve në shoqëri.











