Sot në Istog po mbahet punëtoria “Lejet Mjedisore dhe Ujore në Kosovë: Praktikat, sfidat dhe mundësitë”, në kuadër të projektit “CorrWatch”, e organizuar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Ky aktivitet do të vazhdojë edhe më 13 tetor 2023 në Hotel Troja, në Istog.
Punëtoria e organizuar është pjesë e aktiviteteve në kuadër të projektit CorrWatch: “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur transparencën dhe llogaridhënien nga institucionet publike në Kosovë” dhe ka për qëllim të shpalos rezultatet dhe sfidat e identifikuara gjatë monitorimit të dhënies së Lejeve Mjedisore dhe Ujore, si dhe të shërbej si një platformë për të ofruar rekomandime për përmirësime të nevojshme.
Ndër të tjera, kjo punëtori synon të ngjallë debate lidhur me sfidat dhe praktikat e mira mjedisore duke mbledhur përfaqësues institucional të nivelit qendror dhe lokal, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile.
Në kuadër të agjendës së punëtorisë parashihen diskutim dhe ligjërata mbi tema të tilla si: Barrierat legjislative në fushën e mjedisit në Kosovë, Sfidat dhe mangësitë përgjatë dhënies së Lejeve Mjedisore dhe Ujore, Keqërdorimet dhe shkeljet në mjedis në Kosovë, Roli dhe sfidat e shoqërisë civile përgjatë monitorimit të Lejeve Mjedisore dhe Ujore e të tjera./Katror.info