380 fermerë të Komunës së Lipjanit janë pajisur me makineri bujqësore, subvencione këto të ndara nga buxheti komunal. Pajisjet përbëhen nga frezat, spërkatëse e shpërndarëse plehu, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, tha se subvencionimi ka për qëllim zhvillimin e bujqësisë në Lipjan. Të njëjtën përkrahje e premtoi se do ta vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
“Unë mendoj që kjo lëvizje është që bujqësinë ta avancojmë dhe ta zhvillojnë. Vitet në vazhdim do ta vazhdojmë edhe vitet e ardhshme. Kjo pasuri le të shërbej që të punohet çdo pëllëmbë tokë”, tha Ahmeti.
E drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Rexhep Rexhepi tha se kjo ndihmë është e mirëseardhur për fermerët.
“Fermerët nga sot do ta kenë me të lehtë punën në bujqësi. Kjo do të ishte e pamundur, pa mbështetjen e kryetarit Imri Ahmeti”, tha Rexhepi.
Të kënaqur ishin edhe qytetarët e Lipjanit, të cilët thanë se ky subvencion do të ndikoj në zhvillimin e Komunës së Lipjanit.
“Është një organizim shumë i mirë i cili mendoj që nuk është organizu më herët, edhe desha të them që Lipjani me rrethinë është në pozicione shumë më të mira me kryetarin aktual Imri Ahmeti në të gjitha aspektet”, tha Burim Rexhepi.
“Është investu në infrastrukturë, kemi shkolla, çerdhe të reja, ura e të gjitha tjerat, kjo është një ndihmë tjetër e cila do t’i ndihmoj bujkut lipjanas, që mendoj që do të ndikoj direkt në zhvillimin e kësaj Komune”, tha tutje Rexhepi./Katror.info