Nga bisedat e përditshme në rrugë e rrjete sociale, te ekranet e televizioneve dhe madje edhe në komunikimin institucional, shqipja po dëgjohet gjithnjë e më shpesh e ndërthurur me fjalë të huaja, shprehje të përkthyera fjalë për fjalë dhe struktura të huazuara. Ky fenomen, i përhapur sidomos tek të rinjtë, shndërrohet në një mënyrë të re komunikimi, ku gjuha amtare ndërthuret pa barriera me elementë të gjuhëve të tjera, kryesisht anglishten.
Për disa, kjo përzierje është shenjë e hapjes kulturore dhe e integrimit global, ndërsa për të tjerë ajo përbën rrezik për humbjen e pastërtisë dhe të standardit gjuhësor.
Bashkëpunëtori i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe ligjërues universitar, Sejdi Gashi, gjatë një bisede për Albanian Post, e sheh këtë dukuri si rrezik të drejtpërdrejtë për gjuhën amtare.
Ai paralajmëron se kërcënimi më i madh nuk vjen nga ndikimet e jashtme të pashmangshme, por nga pakujdesia e folësve të saj.
“Rreziqet ndaj shqipes janë të pashmangshme dhe në rend të parë vijnë nga folësit e saj të shkujdesshëm. Kjo është më e shprehur tek të rinjtë, dhe fatkeqësisht ka përhapje të gjerë”, deklaroi Gashi për Albanian Post.
Sipas tij, shkaqet e kësaj gjendjeje gjenden në disa hallka të dobëta të shoqërisë mungesën e edukimit gjuhësor cilësor gjatë viteve të shkollimit, mungesën e kujdesit kulturor në familje, ndikimin e disa mediave që sipas tij “po i vënë kazmën” shqipes, si dhe mungesën e një politike të mirëfilltë shtetërore për përdorimin e gjuhës në hapësirën publike e institucionale.
“Gjuha është një nga shenjat e para të kombësisë dhe mjeti më i rëndësishëm i identitetit të shqiptarëve përballë botës dhe vetvetes. Sot qëndrojmë më keq se vendet fqinje në respektimin e normës gjuhësore – këtë e kanë treguar qartë edhe rezultatet e PISA-s”.
Për Gashin, ringjallja e standardit nuk mund të arrihet pa një ndërgjegjësim të përgjithshëm, veçanërisht te të rinjtë, që ai i konsideron “shtresën më aktive” dhe njëkohësisht më të ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme.
Në anën tjetër, profesori universitar dhe gjuhëtar, Rrahman Paçarizi, thotë për Albanian Post se ndërthurja e shqipes me gjuhë të tjera si pjesë të një cikli normal të zhvillimit kulturor.
“Unë nuk shoh ndonjë rrezik serioz nga huazimet. Janë pjesë e zhvillimit kulturor dhe shpesh shenjë e pjekurisë. Globalizimi e ka bërë të pamundur shmangien e tyre”, thotë Paçarizi për AP.
Sipas Paçarizit, sfida nuk është ndalimi i huazimeve, por menaxhimi i tyre përmes politikave gjuhësore të mirë menduara. Ai paralajmëron se duhet të ruhet “esenca” e shqipes, duke shmangur futjen e konstrukteve të huaja që cenojnë strukturën e saj.
Paçarizi beson se shqipja ka kapacitete të mëdha të brendshme për krijimin e fjalëve të reja nga trungu i saj, por pranon se ka situata “emergjente” kur përdoruesit detyrohen të marrin terma të huaj për të përshkruar koncepte të reja.
“Shqipja ka mundësi të pakufishme për të ndërtuar fjalë të reja nga trungu i saj. Mirëpo, kjo nuk mjafton gjithmonë, sepse kur përballemi me koncepte që hyjnë për herë të parë në jetën tonë, përdoruesi detyrohet t’i huazojë ato”.
Gashi dhe Pacarizi potencojnë se kjo situatë kërkon një reagim të koordinuar politika të qarta gjuhësore, investim në edukim dhe një ndërgjegjësim më të madh për rëndësinë e përdorimit të shqipes standarde.
Raportet e PISA-s kanë nxjerrë në pah se mbi 40 përqind e nxënësve 15-vjeçarë në Kosovë dhe Shqipëri kanë vështirësi të dukshme në përdorimin e shqipes standarde në shkrim akademik.
Një nga studimet këtë drejtim, “The Rising of ‘Alblish’”, e tregon më së qartë përhapjen dhe mentalitetin që dominon përdorimin e anglicizmave në media dhe ditët e sotme, fjalë huaj nga anglishtja përdoren në fusha të ndryshme si teknologjia, politika, biznesi dhe medicina, veçanërisht pas viteve 1990.
Ndërkohë, një hulumtim i fundit i Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë tregon se një përqindje e konsiderueshme e nxënësve përdorin një gjuhë të re, të formuar brenda grupeve të tyre shoqërore– duke nxjerrë në pah ndikimin e globalizmit dhe ndërveprimit shoqëror./AP/Katror.info