Formimi i akullit dhe mjegullës në frigoriferë dhe ngrirës është një dukuri e zakonshme në shumicën e shtëpive, por specialistët theksojnë se me mirëmbajtje të duhur dhe një përbërës të thjeshtë, mund të kursehen para dhe të zgjatet ndjeshëm jetëgjatësia e pajisjes.
Sipas ekspertëve, akulli krijohet zakonisht kur dyert e frigoriferit hapen shpesh dhe ajri i ngrohtë dhe i lagësht futet brenda pajisjes, duke krijuar kondensim, përcjell TAR.
Kjo ndodh më shpesh në frigoriferët më të vjetër, të cilët nuk janë të pajisur me sistem automatik të shkrirjes.
Për të shmangur akumulimin e tepërt të akullit, rekomandohet paketimi i saktë i ushqimeve dhe mbyllja hermetike e qeseve, për të zvogëluar sasinë e lagështisë. Gjithashtu, është thelbësore që temperatura të mbahet në nivel optimal dhe hapja e derës të kufizohet.
Një këshillë interesante që po qarkullon gjithnjë e më shumë është përdorimi i një shtrese të hollë vaji në brendësi të frigoriferit dhe ngrirësit pas pastrimit.
Kjo shtresë krijon një barrierë mbrojtëse që ndihmon në parandalimin e formimit të akullit në sipërfaqe.
Në rast se akulli vazhdon të formohet, ekspertët sugjerojnë të kontrollohet gjendja e gomave rreth derës, pasi dëmtimet apo humbja e izolimit mund të jenë shkak i futjes së ajrit të ngrohtë.
Po ashtu, mbushja e tepërt e frigoriferit duhet të shmanget, pasi kjo pengon qarkullimin e duhur të ajrit të ftohtë, duke krijuar kushte për formimin e akullit.
Në fund, kujdesi dhe mirëmbajtja e rregullt janë çelësi për një funksionim efikas të frigoriferit, kursim energjie dhe ruajtje më të mirë të ushqimeve. /Katror.info