Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, PriFest ka prezantuar filmin që do ta hapë PriGlobal 2024 të hënën në mbrëmje prej orës 20:00 në Kino Armata. Ai është filmi “S’ka Rrugë Për Në Shtëpi” nga Yousaf Ali Khan, Mbretëri e Bashkuar që jeper premierë për Kosovë. Filmi zgjat 105 minuta.
“E vetmja gjë që di Ryan për babanë e tij është që ai është një ‘Paki’ (pakistanez). Ai ëndërron që dikur babi do të kthehet dhe do ta largojë prej shtëpisë të dashurin e ri të nënës së tij, Jasonin. Kur ai e sheh një burrë të lënduar duke u fshehur në një kontejner të mallrave në djerrinën afër shtëpisë së tij, për të është thuajse i është realizuar një ëndërr,” thuhet në prezantimin që PriFest i bën filmit në fjalë.
PriFest ka njoftuar se po kthehet me edicionet e dyta të PriGlobal dhe PriDox, të pozicionuara njëra pas tjetrës, PriGlobal më 15 prill deri më 16 prill, ndërsa PriDox më 17 dhe 18 prill.
“Përveç 3 filmave të mrekullueshëm të metrazhit të gjatë dhe 3 dokumentarëve mbresëlënës (dhe 1 film të shkurtë si projeksion special) që do t’i shfaqim në Kino Armata, bashkë me Soma po i organizojmë dy ndeja, siç e don tradita jonë e kahmotshme për lidhjen e shfaqjeve të filmave unikë me performanca muzikore kualitative,” thuhet në një postim të Prifest në Facebook.
Më poshtë mund ta shihni programin e plotë./Katror.info