Në arsimin paruniversitar të Kosovës sot fillon viti shkollor 2023/24. Ështe kjo hera e parë, që nga viti 2020 që mësimi fillon më 1 shtator, nga që në dy vitet pas pandemisë mësimi qe shtyrë për shkak të Covid-10, ndërsa vitin e kaluar për shkak të grevës së mësimdhënësve.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, këtë vit ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, siç thotë MASHTI, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Sivjet prindërit janë përgjegjës për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët e tyre. Mjetet do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, pasi ata të kenë aplikuar në platformën online të Qeverisë E-Kosova.
Platforma E-Kosova, ku prindërit kanë mundur të aplikojnë për subvencionimin e blerjes së librave, është hapur më 25 gusht – saktësisht një javë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi këta të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar. Për këtë Qeveria ka ndarë rreth 13 milionë euro.
Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, ka njoftuar të enjten se kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të prindërve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht, e që janë mbi 81 mijë përfitues.
Siç ka bërë të ditur ajo, numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës.
“Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo tutje ka ripërsëritur se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore./Katror.info