Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mban sot ceremoninë e dhënies së çmimeve për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”.
Në kuadër të kësaj ceremonie do të jepen tri çmime:
1. Çmimi i parë për dramën origjinale shqipe ‘’Katarina Josipi’’ i ndahet dramës me titull: ‘’Gërrdia’’, shifra ‘’Pamuk’’ autor Astrit Kabashi;
2. Çmimi i dytë për dramën origjinale shqipe ‘’Katarina Josipi’’ i ndahet dramës me titull: ‘’Uellsi ka një Mbret’’, shifra ‘’Cardiff’’ autor Jeton Neziraj;
3. Çmimi i tretë për dramën origjinale shqipe ‘’Katarina Josipi’’ i ndahet dramës me titull: ‘’Marshi i hijeve të diellit’’, shifra ‘’Kokëçarja’’ autor Florent Kurtalan.
MKRS ka vendosur t’i emërtojë çmimet në nder të aktores së madhe, Katarina Josipit. Në kohën kur shumë vajza dhe gra ëndërr kishin shkollimin, Katarina u bë gruaja e parë aktore që në vitin 1948 i bashkohet Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë. Katarina, ndonëse, nuk kishte ndjekur asnjë shkollë të artit, në fund të viteve ’50 pushtoi skenën dhe u shndërrua në mbretëreshë të saj.
Si e para aktore grua shqiptare në Teatrin e Kosovës, ajo u shqua me performancën e jashtëzakonshme dhe la mbresa të paharrueshme. Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi, në skenën e Teatrit, Kati siç njihej nga të afërmit, ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit. /Katror.info