E përditësuar 11:13
Ka dështuar për të 16-tën herë me radhë përpjekja për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Edhe këtë herë nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndonëse në seancë kanë qenë të pranishëm 111 deputetë.
Pro votuan 55, kundër një dhe asnjë abstenim.
Vazhdimi i seancës do të ndodhë pas 48 orësh.
***
Sot përpjekja e 16-të për konstituimin e Kuvendit
Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 16-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.
Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 10:30, por as sot nuk pritet të ketë ndryshim të qëndrimeve nga subjektet politike.
Të martën dështoi përpjekja e 15-të, e ku rrjedha e seancës ishte e ngjashme me ato paraprake.
Kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër, Avni Dehari e përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por sërish nuk pati propozime nga deputetët e partive që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar.
Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim, por sërish nuk pati vota të mjaftueshme.
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, për sot ka thirrur në takim krerët e partive politike për tejkalimin e kësaj bllokade, e të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim./Katror.info