Derisa këtë të shtunë Kosova shënon 16 vjetorin e pavarësisë së saj, sporti po konsiderohet të ketë qenë arma më e fortë në forcimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare.
Sukseset kulminante të arritura në shumë gara, duke fituar medalje të arta, kanë bërë që flamuri i Kosovës të jetë mbi shumë flamuj të shteteve më të fuqishme botërore, madje edhe në vende që fare nuk e kanë njohur Kosovën.
Në këtë aspekt, zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka thënë për KosovaPress se sporti është arma më e fortë që ka vendi ynë në aspektin e lobimit në skenën ndërkombëtare.
“Medalja e Majlinda Kelmendit në Rio 2016 i ka dhënë jehonë jashtëzakonisht të madhe promovimit të vendit në arenën ndërkombëtare, përveç kësaj pastaj edhe paraqitjet tjera në shtete të cilat edhe sot e kësaj dite nuk na njohin ka arritur që të ngrihet flamuri i Kosovës, që të prezantohet Kosova tek popujt e ndryshëm”, tha Osmani.
Ndërsa, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, sporti ka bërë që Kosova të njihet botërisht për shkak të paraqitjeve mbresëlënëse të sportistëve tanë.
I pari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, vlerëson se sporti është ambasadori më i mirë i Kosovës për promovimin e saj. Sipas tij, organizimet e shumta të ngjarjeve ndërkombëtare sportive në Kosovë i shërbejnë promovimit të vendit tonë
Përmes sukseseve të mëdha në sporte si xhudo, boks, karate e të tjera, flamuri i Kosovës është ngritur në shumë vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe përmes tyre shumë popuj kanë mësuar më shumë për vendin dhe popullin e Kosovës./Katror.info