Sukses historik është quajtur rangimi në top 3-shen më të mirë në botë i ekipit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në garën me pothuajse 400 universitete nga gjithë bota.
Ka qenë vetë Presidentja Vjosa Osmani, ajo që ka uruar ekipin, duke thënë se ekipi i UP-së la prapa universitete si Harvardi, Yale, Stanfros, Oxford, etj.
“Sukses historik!
Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës, arriti në top 3-shen më të mirë në botë!
Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata poashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.
Kjo ekipë këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka. Krenare sa më ska!,” ka shkruar Osmani.
Studentët e fakultetit Juridik kanë arritur sukses në garën botërore “Willem C Vis International Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë, duke arritur të shkonin deri në gjysmëfinale.
Trajnerja, njëherësh profesoresha Donikë Qerimi në një prononcim për Telegrafin ka treguar se në këtë garë kanë marrë pjesë rreth 364 universitete në botë, ndërsa Kosova ka shkuar deri në gjysmëfinale, pa pasur mundësi të kualifikohen në finale.
Sipas Qerimit, kjo garë është e arbitrazhit ndërkombëtarë komercial, gara më e madhe e drejtësisë në botë.
“Studentët e Fakultetit Juridik kanë marrë pjesë sivjet garën ‘Willem C Vis International Arbitration Moot’, që është garë e arbitrazhit ndërkombëtarë komercial. Është gara më e madhe e drejtësisë në botë. Të regjistruara sivjet kanë qenë rreth 390 universitete, e në fund e përmendën që ishin 364. Ne sot zyrtarisht e përfunduam garën deri në gjysmë finale, që d.m.th 360 universitete i kemi lënë mbrapa”, ka thënë Qerimi.
Ajo tha se në raundin e gjysmëfinales universiteti i Vjenës ishte ai që i mposhti.
“Ndjenja është e jashtëzakonshme dhe ende nuk e kemi filluar festën, pasi deri para një ore ishim në ankth nëse do të kualifikoheshim apo jo në finale. Ekipi janë të ekzaltuar dhe ne si trajner jemi shumë të lumtur për këtë arritje”.
Ndërkaq, garuesit që morën pjesë në garë nga Universiteti i Kosovës, fakulteti Juridik janë: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa dhe Rea Hadri.
Ndërsa trajnerët janë: Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj. /Katror.info
Përgatiti:
