Në ceremoninë e çmimeve ‘Golden Globes‘ të pak javëve më parë ata, Harvey, Mike, Donna dhe Jessica u shfaqën pas shumë kohësh së bashku duke ngjallur nostalgji tek fansat e serialit që i bëri protagonistët e “Suits” të njiheshin më shumë më emrat e rolit që luanin sesa ato që kanë në pasaportë. Gabriel Macht, Patrick J. Adams, Sarah Rafferty dhe Gina Torres u ngjitën në skenë 5 vite mbas episodit të fundit të një serie televizive e cila kur u shfaq në fillim bëri pas vetes një publik besnik, gjithmonë në rritje, por që me hyrjen në Netflix u kthye në një klasik të televizionit të të gjitha kohërave, shkruan Ledion Lico.
Është e çuditshme ajo që ndodh me platformat e stream-ingut. Vitin e kaluar seriali që premierën e tij e pati më shumë se një dekadë më parë, ishte ai që u ndoq më shumë në Netflix, duke krijuar një audiencë krejt të re. Një audiencë që kërkon të shohë më shumë se 9 sezonet që janë transmetuar dhe ri-transmetuar shpesh që prej 2011. Mirëpo që do i duhet të presë gjatë. Në një prononcim të Gushtit të vitit të kaluar, krijuesi i këtij seriali – Aaron Korsh u përgjigj se drama e USA Network nuk ka asnjë shans që të vazhdojë, pavarësisht suksesit të episodeve në Netflix. Kjo histori argetuese avokatësh që kishte për protagonistë edhe Meghan Markle apo Rick Hoffman, vitin e kaluar u bë më e shikuara duke konkuruar denjësisht prodhimet më të reja të kollosit të prodhimeve televizive dhe filmike.
Mirëpo siç e do shprehja “Kurrë mos thuaj Kurrë” – sipas një lajmërimi të fillimit të muajit – Suits do të ketë një vazhdim.
(për ju që nuk e keni parë serialin mos lexoni artikullin më tej sepse përmban spoilers)
Në episodin e fundit pamë se si Harvey dhe Donna vendosën që të ndiqnin Mike dhe Rachel në Los Angeles duke braktisur New York-un dhe firmën për të cilën luftuan kaq shumë, kaq gjatë dhe kaq fort. Në dasmën e Louis Litt (Rick Hoffman) me Sheila Sazs (Racheal Harris) i pamë për herë të fundit si dy kolegë dhe për herë të parë si një çift i martuar [më në fund]. Ndërkaq mbas largimit të Jessica Pearson (Gina Torres) në Chicago (Torres provoi të vazhdonte e vetme një spin-off të “Suits” – “Pearson” (2019) por pritja nga shikuesi ishte e vakët dhe seriali nuk u rinovua më pas sezonit të parë), cast-it ju bashkua edhe Katherine Heigl.
Sipas “Variety”, seriali i ri i frymëzuar nga “Suits” është tashmë në prodhim e sipër, mirëpo asnjë nga protagonistët e këtij të fundit nuk ka konfirmuar zyrtarisht përfshirjen. Edhe pse krijuesi vazhdon të jetë Korsh, për momentin nuk dimë të themi nëse Harvey dhe të tijët do të jenë pjesë e kësaj aventure të re [pseudo]juridike. Mbase e vetmja gjë e sigurt që mund të themi është që Meghan Markle nuk do të jetë pjesë e show-ut që e braktisi për t’u martuar me Princin Harry – pjesa tjetër është histori…
Të gjithë, unë gjithashtu, vitin e shkuar ju rikthyem edhe një herë serialit që me aq ëndje e zbuluam për herë të parë kur u transmetua në fillim. Disa do e përcaktonin këtë si një brez në depresion, sepse nuk ka një arsye racionale ‘pse duhet të shohësh diçka që e ke parë’ xhanëm. Mirëpo ndodh ndonjëherë që ‘miqësitë’ që krijon në faqe librash apo në fotografi filmash e serialesh të ndjesh nevojën ti ri-takosh sepse bashkë me kohën rendim edhe ne, koha na ndryshon disi, jo vetëm së jashtmi. Personazhet e “Suits” me të gjithë sipërfaqësoritetin dhe pasaktësitë e individëve që përfaqësojnë janë prej atyre pak frymorëve të cilët të ngelen në mendje dhe në zemër; rikthimi tek ta të duket familjar – njësoj sikur takon një shok gjimnazi krejt rastësisht.
Dialogjet e mprehta dhe moda-e-pa-bërtitur vazhdojnë të jenë po aq goditëse sa në fillim, pavarësisht ndrrimi të faqeve të dekadave. Tik-Tok-u bën të vetën për ta shndërruar Harvey-n në një hero të ditëve lakmitare dhe arrogante që jetojmë – në epokën kur librat që shiten më shumë janë ato vet-ndihmues – dhe ngjarjet më të ‘mëdha‘ janë ato që janë organizuar nga individë motivues.
Lindur në epokën nihiliste televizive “Suits” hyri kështu në listën e fare pak serialeve kult televizivë të cilët u flasin brezave tërësisht të ndryshëm prej atyre për të cilët u realizuar duke u transportuar në makinën e kohës që quhet Netflix. Njësoj siç ndodhi me “Friends” apo “Sex And The City“. Së fundmi një skenë fantastike e një [tjetër] filmi të Netflix, “Leave the World behind” tregon pikërisht këtë me një lloj pafajsie të trishtë.
Ajo që uroj është që vazhdimi – nëse do të jetë i tillë të mos jetë një trashëgimi e hidhur, krejt e panevojshme siç ndodhi me SATC. Sepse disa gjëra është mirë të lihen ashtu – të paprekura më – aq më tepër kur jo një, po dy palë audiencash kanë rënë brenda me narrativën e tij. Arrogante, por e drejtpërdrejtë, elegante por e parehatshme, njësoj si kostumet 7 mijë dollarëshe që protagonistët e “Suits” mbajnë veshur./Ledion Lico/Top Albania Radio.