Gjykata Supreme e Kosovës i ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend.
Në një njoftim për media, gjykata njoftoi se e pranoi padinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila në qershor urdhëroi bizneset e mëdha të dalin në treg të lirë të energjisë.
Gjykata i shpalli të paligjshme dhe i shfuqizoi nenin 8 të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nga janar 2017, dhe nenin 2 të udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij udhëzuesi.
Ajo tha se gjeti se “mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës”.
Supremja erdhi në përfundim se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë, nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të parashikueshme.
Ajo gjeti gjithashtu se disa dispozita të udhëzuesve të ZRRE-së nuk përputheshin me ligjin për energjinë elektrike në Kosovë, dhe direktivat e Bashkimit Evropian për energjinë.
Vendimi i qershorit i rregullatorit të energjisë i detyroi të gjitha bizneset e mëdha në vend – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të dalin në treg të lirë të energjisë.
Kjo do të thotë se këto biznese nuk furnizohen më me tarifa të rregulluara, por blejnë energjinë sipas ofertave të kompanive private, të licencuara për tregtim.
Sipas ZRRE-së, në këtë proces janë të përfshira rreth 1.300 biznese, që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme.
Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin, përfshirë përmes protestave, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë i ka goditur rëndë bizneset prodhuese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe duke kufizuar mundësitë e tyre për zgjerim dhe punësim.
Kompania “Pestova” në Vushtrri – e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates dhe numëron 260 punëtorë të rregullt – i tha Radios Evropa e Lirë se e ka ndaluar një linjë të re prodhimi dhe e ka pezulluar punësimin e 20 punëtorëve të rinj, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
Edhe pse ka shpenzuar 4% më pak rrymë në shtator të këtij viti, fatura e saj është rritur nga 10.962 euro në 25.535 euro – një rritje mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar./REL/Katror.info
















