Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të martën përfundon afati për aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.
Afati për dorëzimin e kërkesave online për akreditimin e akreditimin e vëzhguesve të meidave vendore dhe ndërkombëtare, i cili ka filluar më 1 korrik, do të përmbyllet më 7 tetor 2025.
Si bëhet aplikimi për akreditim?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i organizatës (qoftë organizatë joqeveritare, qeveritare/ndërqeveritare, organizatë ndërkombëtare e specializuar në fushën e zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut, apo përfaqësues i një shteti të huaj) duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org
Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë atë dhe do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, ZRCKFSP do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformën online, të cilat i mundësojnë përfaqësuesit të autorizuar që të plotësojë edhe të dhënat për personat e organizatës/media që kërkohen të akreditohen.
Në platformën elektronike online https://apliko.kqz-ks.org është ngarkuar video që shpjegon të gjithë hapat e aplikimit./EO/Katror.info