Çdo gjë është gati për Kampionatin e dhjetë Botëror për hendbollistet e reja (U18) që do të mbahet në Chuzhou të Kinës prej 14 deri më 25 gusht.
Pjesë e kësaj ngjarjeje globale është edhe Kombëtarja e Kosovës, e kualifikuar përmes IHF Trophy. Gjithsej janë tetë grupe me nga katër ekipe kombëtare.
Kosova U18 është në Grupin D së bashku me Francën, Brazilin dhe Indinë.
Ndeshjet do të zhvillohen në tri arena të ndryshme: Chuzhou International Handball Hall (me kapacitet prej 7000 vende), Chuzhou Olympic Sports Center (6488) dhe Chuzhou Vocational and Technical College Stadium (3600).
- Të mërkurën, më 14 gusht, vajzat tona luajnë ndaj Brazilit. Ndeshja zhvillohet nga ora 16:00 në arenën me 3600 ulëse.
- Të enjten është ndeshja Kosova – Franca, sërish nga ora 16:00.
- Ndërkohë të shtunën e ardhshme nga ora 14:00 është ndeshja India – Kosova.
Më pas janë edhe ndeshjet për plasman. Sipas njoftimit të Federatës të Hendbollit të Kosovës, grupi është shumë sfidues, por “Kombëtarja U18 ka bërë përgatitjet e duhura për paraqitje sa më të denjë në Botëror“.
Paraqitja në Botërorin në Kinë është sukses tjetër historik i Federatës së Hendbollit të Kosovës./Katror.info