Mbi 5.5 milionë euro fitim neto ka realizuar Telekomi i Kosovës nga janari deri në korrik të këtij viti, të hyra rekord për 11 vitet e fundit.
“Të hyrat janë rritë për rreth 5 milionë krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa fitimi neto nga 4.2 milionë sa ka qenë në atë periudhë, këtë vit është 5.5 milionë. Rritja e cilësisë së shërbimeve, për shkak të investimeve të kryera dy vitet e fundit në rrjetin e telefonisë mobile, ka reflektu në rritje të të hyrave. Pritjet tona janë që ka me pasë rritje të vazhdueshme të të hyrave të Telekomit”, tha Feim Kelmendi, zyrtar kryesor i Financave në Telekom.
Kelmendi tha se kanë investuar në teknologji më të avancuar, e për përmirësim të shërbimeve theksoi se po mundohen që kjo mos të reflektohet në rritjen e çmimeve.
Ndërsa konteksti gjyqësor me Dardafonin që Telekomi i Kosovës e ka pasur ndër vite i ka kushtuar ndërmarrjes publike miliona euro. Mbi 60 milionë euro ia kishte marrë Dardafoni – Telekomit, e Kelmendi pretendon se një pjesë e kësaj shume duhet t’i kthehet kompanisë.
“4.4 milionë të vendimit të fundit dhe mbi 300 mijë euro të vendimit të kaluar, të vitit të kaluar, ato janë që i ka vendosur Gjykata që duhet të kthehen, mirëpo nuk po e zbaton vendimin e Gjykatës. Janë 15 milionë euro të tjera që na i kanë marrë në vitin 2022 për të cilat ne jemi të bindur që janë marrë padrejtësisht”, tha mes tjerash Kelmendi për RTK.
Nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Telekomit thanë se ka ende hapësirë për përmirësim të kushteve, megjithëse u shprehën se ka pasur përmirësime në këtë drejtim.
Aktualisht në Telekomin e Kosovës janë të punësuar rreth 1 mijë e 650 punëtorë./Katror.info