Më 16 qershor 2025, Tirana do të jetë mikpritëse e Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), një nga forumet më të rëndësishme të dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkan, shkruan Katror.info.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi nënvizoi përkushtimin e Shqipërisë për të mbështetur avancimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria është e angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE“, shkruan Rama.
Ky ministerial pritet të mbledhë përfaqësues të lartë nga vendet anëtare të SEECP-së, me fokus te bashkëpunimi politik, siguria rajonale dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor./Katror.info