Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, të shtunën nisi serinë e aktiviteteve kushtuar 80- vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë me një ngjarje të veçantë në Lozanë, e bashkëorganizuar me Shoqatën “Swiss Albania Event”, të drejtuar nga Aina Hoti. Ky ishte aktiviteti i parë nga katër që do të zhvillohen në disa kantone të ndryshme të Zvicrës gjatë këtij viti jubilar.

Gjatë aktivitetit, u shfaq filmi klasik shqiptar “Tomka dhe shokët e tij”, i cili përcjell mesazhin e guximit dhe rezistencës së brezit të ri shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të vizitojnë një ekspozitë me dokumente dhe fotografi historike, që ndriçon rolin dhe kontributin e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe vendimtare.

Në këtë ngjarje morën pjesë anëtarë të diasporës shqiptare dhe qytetarë zviceranë nga pjesa frankofone, duke krijuar një moment të veçantë bashkimi dhe reflektimi. Ambasada Shqiptare në Zvicër u përfaqësua nga Sekretari i Parë, Valon Gashi, i cili falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe interesin ndaj historisë dhe kulturës shqiptare. /Katror.info
Përgatiti:
