Është një prej këngëve më të mira të grupit MAK. Që në lëshim të parë, ta ngacmon veshin me ritmin që ka, e aty ndizet sinjali që muzika që po e dëgjon është e tjetër përmasave e vlerave.
Kënga e sjellë nga zëri magjik i Haki Misinit, është nga të tillat që me shumë pak fjalë të poetit Latif Berisha, i cili është autori i tekstit, përshkruan shumëçka.
“Në livadh të jetës tri gota i gjeta. Dy janë të mbushura është bosh e treta”, si fillim kënge e intrigon dëgjuesin për të ditur vazhdimësinë e tekstit, i cili më shumë i ngjan një rrëfimin që ec nëpër nota muzikore.
Tutje kënga vazhdon me ritmet e theksuara të rokut duke vazhduar ta mbaj të gjallë kuriozitetin e dëgjuesve.
“Të parën e mora në buzë e afrova. Ish ithtë si pelimi menjëherë e largova”
Teksti ec tutje duke krijuar një enigmë mendimesh që kryqëzohen në kujtimet e secilit. por goditja më e fuqishme vjen pikërisht nga vargjet “U be idhtë e ëmbël si është vet kjo botë”.
Grupi MAK ka lënë prapa vetes një trashëgimi të pasur kulturore e muzikore. Është përbërë nga vokalisti Haki Misini, Xhevdet Gashi, Sedat Jusufi, Halil Bajraktari e Mehmet Tupella. / Katror.info