Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të shpallë një marrëveshje tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Britanisë sot ( enjtje), raportoi të mërkurën gazeta New York Times, duke cituar tre persona të njohur me planet.
Trump postoi në platformën Truth Social se do të mbajë një konferencë për media në Zyrën Ovale të enjten në orën 10:00 sipas kohës së SHBA-së lindore (14:00 GMT), në lidhje me një “marrëveshje tregtare të madhe me përfaqësues të një vendi të madh dhe shumë të respektuar”, duke përdorur shkronja të mëdha. Ai nuk dha më shumë detaje, por tha se kjo do të ishte “e para nga shumë të tjera”, shkruan Reuters, përcjell Katror.info.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi raportin e Times.
Funta u rrit kundrejt dollarit pas këtij lajmi. Një marrëveshje e tillë do të ishte e dyta për Britaninë brenda javës, pasi ajo arriti një pakt për tregti të lirë me Indinë.
Një zyrtar britanik tha të martën se Britania dhe SHBA kishin bërë përparim të mirë drejt një marrëveshjeje tregtare që ka gjasa të përfshijë kuota tarifore më të ulëta për çelikun dhe automjetet.
Britania po ashtu është në “diskutime aktive” me zyrtarët e lartë amerikanë lidhur me tarifën 100% për të gjitha filmat e prodhuar jashtë SHBA-së, të shpallur nga Trump, tha ministri për industritë kreative, Chris Bryant, para parlamentit të mërkurën. Lajmi për marrëveshjen tregtare SHBA-Britani vjen ndërkohë që zyrtarë amerikanë dhe kinezë po përgatiten të zhvillojnë bisedime në Zvicër të shtunën, të cilat mund të jenë hapi i parë drejt zgjidhjes së një lufte tregtare potencialisht të dëmshme ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë.
Lufta tregtare e Trump ka tronditur tregjet financiare dhe ka nxitur frikë për një recesion, me bankierë qendrorë dhe drejtues biznesesh që po përballen me politika shpeshherë kaotike që po ndikojnë zinxhirët globalë të furnizimit dhe sektorë të tërë industrialë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar muajin e kaluar uli parashikimet për rritje ekonomike për SHBA-në, Kinën dhe shumicën e vendeve, duke cituar ndikimin e tarifave amerikane dhe duke paralajmëruar se tensionet në rritje tregtare do të ngadalësojnë më tej rritjen ekonomike.
Valë Takimesh
Ekspertët e tregtisë kanë paralajmëruar se kërkesat e Trump mund ta detyrojnë Londrën të përballet me çështje të ndjeshme si lidhjet tregtare me Bashkimin Evropian dhe Kinën. Analistët theksojnë se, meqë prodhuesit britanikë janë pjesë e zinxhirëve furnizues evropianë dhe globalë, ata mund të pësojnë dëme nga kundërmasa ndaj tarifave të SHBA-së.
Zyrtarët më të lartë të Trump kanë zhvilluar një valë takimesh me partnerë tregtarë që nga 2 prilli, kur presidenti vendosi një tarifë prej 10% për shumicën e vendeve, së bashku me tarifa më të larta “reciproke” për shumë partnerë tregtarë, edhe pse këto tarifa më vonë u pezulluan për 90 ditë.
Britania nuk ishte mes vendeve të goditura me tarifa shtesë, pasi ajo importon më shumë nga SHBA sesa eksporton atje.
Trump gjithashtu ka vendosur tarifa 25% për automjetet, çelikun dhe aluminin, tarifa 25% për Kanadanë dhe Meksikën, dhe tarifa 145% për Kinën.
Të martën, Trump tha se ai dhe zyrtarë të lartë të administratës do të shqyrtojnë marrëveshjet tregtare potenciale gjatë dy javëve të ardhshme për të vendosur cilat do të pranojnë. Javën e kaluar, ai tha se ka marrëveshje “potenciale” me Indinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë./Katror.info