Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar sot, inaugurimin zyrtar të Qendrës për Ndërtimin e Kapaciteteve në Pylltari në Parkun Kombëtar të Blinajës, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sektorit të pylltarisë dhe mbrojtjes së mjedisit në Kosovë.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Suedisë, dhe të zbatuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), qendra e renovuar do të shërbejë si një qendër trajnuese për profesionistët e pylltarisë. Sipas njoftimit, ajo do të ndihmojë në “planifikimin, menaxhimin, monitorimin dhe mbrojtjen e pyjeve”, me synimin për të siguruar qëndrueshmëri të burimeve natyrore të vendit.
Në kuadër të përforcimit të kapaciteteve të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, BE-ja dhe Suedia kanë ofruar edhe pajisje të reja, përfshirë:
- 8 automjete të reja terreni
- Pajisje GPS
- Kamera
- Drone
- Pajisje për menaxhimin e zjarreve
Sipas Zyrës së BE-së , kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me pajisje dhe infrastrukturë, por me “ndërtimin e aftësive dhe sistemeve të nevojshme për mbrojtjen e burimeve natyrore, luftimin e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e një të ardhmeje më të gjelbër për të gjithë”. /Katror.info











