Ajo u shpall piktura më e bukur holandeze në historinë e artit të bukur, dhe gjithashtu frymëzoi shkrimin e një romani dhe realizimin e një filmi. Është një pikturë e shekullit të 17-të, Vajza me vathin me perlë.
Piktura është vepër e piktorit holandez Johannes Vermeer në vitin 1665 dhe ishte kjo vepër që e bëri atë të famshëm. Shpesh quhet “Mona Lisa e Veriut” ose “Mona Lisa holandeze”. Portreti ruhet në muzeun Mauritshuis në Hagë dhe kur huazohet në muze të tjerë në mbarë botën, nxitvëmendje dhe publicitet të jashtëzakonshëm.
Për shembull, kur piktura u ekspozua në Tokio, ajo tërhoqi më shumë vizitorë se çdo ekspozitë tjetër në botë në atë kohë. Rreth 2.2 milionë njerëz u dyndën për të parë atë zonjë misterioze në pikturë.
Piktura që ne njohim sot si Vajza me vathin me perlë nuk e ka pasur gjithmonë këtë emër. Në inventarin e bërë në kohën e vdekjes së Vermeer-it, ajo u regjistrua si një pikturë e stilit turk (për shkak të turbanit në kokë), dhe në katalogun e shitjes së pikturës në vitin 1969 në Amsterdam, ishte renditur si Portret me kostum antik, jashtëzakonisht artistik.
Me kalimin e viteve u vendos emri Vajza me çallmë dhe për këtë kontribuan luftërat evropiane me turqit dhe një farë përzierjeje e kulturës evropiane dhe asaj turke. Vetëm në fund të shekullit të 20-të filloi të përdorej më shpesh emri Vajza me vathë me perlë.
Rrethet kulturore kanë debatuar me shekuj se kush është në të vërtetë vajza në pikturë dhe ka pasur edhe përfytyrime romantike. Këtu padyshim se kryeson shkrimi i romaneve dhe poezive romantike.
Piktura e piktorit holandez frymëzoi gjithashtu shkrimin e romanit të mirënjohur të Tracy Chevalier. Shkrimtarja ndërton një histori mbresëlënëse për dashurinë e përmbajtur dhe pasionin e papërmbajtur për krijimin artistik. Sipërfaqja e qetë dhe e heshtur e kanavacës së piktorit të lartpërmendur, si një ind letrar konkret historiko-artistik, bëhet historia e fatit të shërbëtores së re Griet, e cila vjen për të punuar me Vermeerët.
Teksa pastronte punishten e piktorit, ajo pushtohet gjithnjë e më shumë nga gjuha e fshehtë e pikturave të tij, por edhe nga ndjenjat e adhurimit dhe dashurisë për autorin e tyre. Vathët me perla, të cilët do t’i shkëlqejnë papritur teksa pozon për të, do të fillojnë një rreth ngjarjesh të papritura në jetën e një familjeje të qetë.
Në vitin 2003, një film i bazuar në atë model u realizua nën drejtimin e Peter Webber. Rolin e Griet, pra vajzën me vathin me perla, e ka mishëruar aktorja Scarlett Johannson, ndërsa piktorin holandez aktori Colin Firth.
Me kalimin e shekujve ka pasur teori të shumta se kush është në të vërtetë vajza në pikturë dhe një prej tyre ishte historia e lartpërmendur se ajo ishte e dashura e piktorit.
Për një kohë besohej se ai thjesht kishte pikturuar vajzën e tij (sepse në atë kohë anëtarët e familjes shërbenin shpesh si modele për piktorët), por në rrethet artistike gjithnjë e më shumë besohet se për shkak të misticizmit që kullon e gjithë piktura, bëhet fjalë për një person imagjinar.
Gjegjësisht, Emilie Gordenker, drejtoreshë e Muzeut Mauritshuis, ku ruhet piktura, vuri në dukje se një mënyrë e tillë e pikturimit ishte veçori e të ashtuquajturës epokë të artë holandeze dhe se nuk është një portret, por diçka që quhet troni. Është një studim i një koke dhe shpatullash të veshura me veshje ekzotike.
Ajo gjithashtu deklaroi se është e mundur që dikush t’i ketë krijuar ato rroba, por ka më shumë gjasa që të mos jetë një person specifik, por dikush i përjetshëm dhe misterioz, ndoshta edhe një personazh nga Bibla.
Me sa duket, e gjithë ideja ishte krijimi i një pikture misterioze dhe të pazbulueshme, gjë që u arrit nga kombinimi i ngjyrave të errëta. Kjo teori mbështetet edhe nga fakti se perla në pikturë është shumë e madhe dhe shumë e rëndë për t’u mbajtur në përditshmëri, ndaj ndoshta piktori nuk ka pasur një model të gjallë përpara tij.
Sido që të jetë, fakti është se vajza me vathin me perlë është, së bashku me Mona Lisën, një nga pikturat më misterioze në historinë e artit./Katror.info