Kosova është gati për të mirëpritur Kampionatin Evropian U16 për vajza, që për herë të parë organizohet në bashkëpunim me Shqipërinë. Nga data 2 deri më 13 korrik, Prishtina dhe Tirana do të jenë mikpritëse të kësaj ngjarjeje sportive të rëndësishme për basketbollin e femrave në rajon, shkruan Katror.info.
Në Prishtinë, ndeshjet do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, me përfaqësuesen e Kosovës që do ta hapë kampionatin më 2 korrik përballë Malit të Zi, duke filluar nga ora 20:00.
Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për sportin e vajzave në vend, duke ftuar publikun që ta mbushë palestrën dhe të përkrahë ekipin tonë kombëtar.
Përfaqësuesja U16 e Kosovës synon të tregojë përparim në aspektin teknik dhe taktik, dhe njëkohësisht të përfitojë nga përvoja ndërkombëtare në këtë garë të nivelit zyrtar të FIBA-s./Katror.info