Shkruan: Vanesa Zhugolli, gazetare në TV Klan Kosova
E majta ka vdekur, rrnoftë e majta”, ishte një maksimë dialektike midis cinizmit, fatalizmit dhe njëfarë optimizmi, e cila qe përuruar vite me parë nga qarqe majtiste dhe përmjet së cilës mëtohej riaktualizimi e riafirmimi i ideologjisë.
Nga këndqëndrimi im prej artdashëse dhe alarmit tim mbi gjendjen e artit, më duket sikur e njëjta maksimë do të mund të transponohej e edhe këtu me pak ndryshim. Arti ka vdekur, rrnoftë arti! – si një përshkrues i gjendjes së artit. Pjesa dërmuese e qindvjeçarit të kaluar, gati kudo në botë, sikur kaloi si një déjà vu i mesjetës, ku liria artistike u eklipsua dhe shtrëngohej prej kopsash, rripash e diktatesh të kishës. Si çdo sferë tjetër, edhe vetë arti dhe artbërësi iu nënshtruan hegjemonisë kishtare. Krijimtaria artistike më tepër se në relacionin artbërës e artmarrës kaloi së pari në thjerrëzën e kontrollit, dhe në këtë pozicion gati panoptikonik ishte vetë Kisha, autoriteti i së cilës përcaktonte modelet.
E njëjta përqasje kontrolli u zhvendos në mënyrë elegante, e sigurisht edhe të padukshme, edhe në shekullin e kaluar ku secila formë artistike ishte në funksion të ideologjisë mbisunduese. Një lloj arti mori cilësimin si socrealist në të cilin endej ambicia se ai pasqyronte kushtet shoqërore e kulturore të kohës. Funksioni burimor i artit nuk banon te shfaqjet e artit kontemporan, i cili nën mashtrimin e ‘lirisë’ dhe zgjedhjeve të stileve të reja, është kurthuruar në ideologjinë e sotme. Katandisja nuk mund të jetë ndryshe nga gjendja siç e shohim sot artin figurativ. Arti, për të cilin dikur Hegeli kishte thënë se luan rol në qenësinë e idesë absolute, nuk përfaqëson as ide, as shpirt e as ndjesi. Sigurisht, me përjashtime aty-këtu, veprat artistike janë të zhveshura nga kategoria kryesore estetike, nga e bukura. Kurdoherë gjatë historisë, arti e artisti kanë hapëruar si agjent politik me ambicie emancipuese. Ai ecte në mënyrën e vet duke bërë subversivin, duke e bërë në mënyrën e vet kauzën për çlirim e demokratizim. Por, sot nuk është i tillë. Së këndjemi, na vjen ta legjitimojmë idenë që parashtron Platonie për ‘ekskomunikim’ të artitit, përkatësisht artistëve, si të padobishëm.
Art për treg, jo për shpirt? Ekspozitat që duken, por nuk ndihen
Në vitet e fundit, ekspozitat në galeritë publike dhe private në Prishtinë e Tiranë po shtohen. Arti duket më i “gjallë” se kurrë: hapje, vernisazhe, fotografi në Instagram, intervista për artistët. Por çfarë mbetet pas? Pothuajse asgjë.
Për fat të keq, fuqia e këtyre ngjarjeve kulturore është e papërfillshme nëse mendojmë funksionin e tyre në krijimin e një marrëdhënieje reale me publikun. Me pak përjashtime, ato më shumë po funksionojnë thjesht si objekte luksi për galeri dhe investitorë. Pra, po i shërbejnë mirëmbajtjes së gjendjes së stërkequr të artit, për të mos thënë po i kontribuojnë stërkeqjes së mëtejshme.
Arti po elitizohet?
Shumë ekspozita janë të mbyllura në një gjuhë të komplikuar konceptuale, të kuptueshme vetëm për një rreth të vogël akademikësh ose kuratorësh. Gjë që i përjashton profanët e artit, artdashësit, qytetarët e rinj, të rinjtë kureshtarë. Arti nuk komunikon më me publikun, por me një treg të brendshëm ku rëndësi ka kush e njeh kë.
Arti si investim, jo si mesazh
Në inkursionin e sendëzuar, arti është fusha më e atakuar. Në shumë raste, veprat nuk krijohen për të shkundur mendjet apo për të vënë në pikëpyetje realitetin, por për të qarkulluar: për të hyrë në fondacione, për të udhëtuar në ekspozita ndërkombëtare, për t’u shitur si “punë e re”. Artistët ndihen të detyruar të prodhojnë vepra që ‘duken mirë në mur’, jo që dëftojnë diçka.
Shpesh galeritë publike janë kthyer në ‘vitrina kalimtare’ – jo vende që ndërtojnë debat artistik. Ekspozitat nuk shoqërohen me diskutime, punëtori, as me një proces që përfshin publikun.
Arti përjetohet si ‘event’, jo si përvojë.

Ky artikull është publikuar në www.katror.info si mbështetje për platformen e kritikes artistike Hani i dy Robertëve
















