Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një periudhë fantastike në La Liga me skuadrën e tij, Mallorca.
Të dielën që shkoi, “Pirati” ishte përsëri protagonist duke shënuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Getafe-s — një triumf që i jep skuadrës qetësi dhe vetëbesim përpara pauzës ndërkombëtare.
Me këtë gol, Muriqi ka arritur shifrën e 40 golave në La Liga, ndërsa këtë sezon ka realizuar 6 gola në 12 ndeshje, duke konfirmuar formën e tij të lartë.
Pas ndeshjes, ai shprehu kënaqësinë për rezultatin dhe reagimin e skuadrës:
“Kjo fitore para pushimit na jep një ndjesi të mrekullueshme. Ishte pikërisht ajo që donim sot. Na sjell qetësi dhe na ndihmon të përmirësojmë gjërat që nuk kanë funksionuar mirë,” – tha Muriqi për mediat spanjolle.
Sulmuesi kosovar theksoi se çelësi i suksesit ishte starti i mirë në ndeshje:
“E dinim që duhej të shënonim të parët, dhe e bëmë. Pastaj treguam forcë në duele dhe disiplinë në mbrojtje. E rikthyem shpirtin e skuadrës,” – shtoi ai.
Goli i vetëm i ndeshjes erdhi pas një asistimi të saktë nga Mojica, ndërsa Muriqi vazhdon të jetë golashënuesi kryesor i Mallorca-s.
Në fund, ai dha një mesazh të qartë për vazhdimësinë:
“Ndihem shumë mirë. Për një sulmues, golat janë gjithçka. Gjashtë gola në dymbëdhjetë ndeshje është një ecuri e shkëlqyer, por nuk dua të ndalem këtu,” – përfundoi Muriqi. /Katror.info
















