Raporti i ri Global Retirement Index 2025 ka analizuar vendet më të mira për pensionistët në bazë të një sërë faktorësh të ndryshëm.
Në këtë raport janë vlerësuar 44 shtete të zhvilluara, duke u bazuar në elemente si përballueshmëria, kujdesi shëndetësor dhe siguria e përgjithshme gjatë pensionimit. “Norvegjia e ka rimarrë pozitën e parë në Global Retirement Index 2025 të Natixis, falë performancës së saj të fortë në rezultatet shëndetësore, papunësisë së ulët dhe barazisë së lartë të të ardhurave,” thuhet në raport, duke shtuar se vendi nordik ka qenë çdo vit në top tre që nga viti 2012, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.
Norvegjia ka shënuar rezultate të larta në disa kategori: ka dalë e para në mirëqenie materiale, e dyta në cilësinë e jetës dhe e katërta në kujdesin shëndetësor. Raporti thekson gjithashtu se vendi renditet në top pesë për cilësinë e ajrit, ujit dhe sanitetit. Norvegjia vazhdon të jetë ndër vendet më të lumtura në botë, duke u renditur në vendin e pestë në World Happiness Report 2025.
Në indeksin e këtij viti, pas Norvegjisë renditen Irlanda në vendin e dytë, Zvicra në të tretin, Islanda në të katërtin dhe Danimarka në të pestin. Australia është i vetmi vend jashtë Evropës që renditet në top 10. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka zënë vendin e 17-të, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë renditur në të 21-in.
Më herët gjatë këtij viti, Norvegjia është vlerësuar gjithashtu si një ndër destinacionet më të mira për pension nga Everly Life. Në atë raport, analistët kanë theksuar sistemin e përparuar të kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturën sociale si faktorë kryesorë që e bëjnë vendin kaq tërheqës për të moshuarit./Katror.info
Burimi: Only Good News Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info