Vendimet e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës janë publikuar të mërkurën.
“Pas aprovimit nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), xhiroja e parë e ProCredit Superligës dhe Superliga Femrat do zhvillohet sipas datave të parashikuara, në palestrat sportive të qyteteve përkatëse. ProCredit Superliga do fillojë me datë 4-5 tetor 2025 në palestrat sportive përkatëse, ndërsa xhiro e dytë vazhdon me datat 18-19 tetor në palestrat sportive përkatëse”, shkruan në vendimin e Bordit të FBK-së.
Superliga Femrat do të fillojë sipas datave të parashikuara në palestrat sportive përkatëse, ndërsa xhiroja e dytë (II) dhe tretë (III) do organizohen nga FBK në një palestër sportive të vetme, me qëllim lehtësimin e zhvillimit të ndeshjeve në periudhën zgjedhore.
Bordi i FBK-së ka arsyetuar edhe vendimin e anulimit të Superkupës së Kosovës në konkurrencë të meshkujve.
“Është vendosur që Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 të anulohet dhe të mos zhvillohet, me qëllim që të mos tejzgjatet vijimi i ProCredit Superligës dhe të sigurohet zhvillimi i garave sipas kalendarit të paraparë”, thuhet në vendimin e Bordit të FBK-së./Katror.info