Profesoresha Venera Berisha – Muharremi, nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, është ndër tre ligjëruesit kryesorë në Konferencën e 5-të Globale për Diabet dhe Endokrinologji (“5th Global Meeting on Diabetes and Endocrinology”), e cila sot po mbahet në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në këtë ngjarje shkencore të nivelit botëror, Kosova dhe Universiteti i Prishtinës përfaqësohen për herë të parë si i vetmi shtet dhe universitet nga Ballkani Perëndimor dhe nga rajoni në përgjithësi.
Në një njoftim të bërë në Facebook, Berisha – Muharremi është shprehur e lumtur dhe krenare për këtë arritje, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës në nivele të tilla është një përgjegjësi dhe privilegj i madh.
“Tashmë 21 vite pjesë e Universitetit të Prishtinës, kam pasur privilegjin dhe përgjegjësinë që të përfaqësoj institucionin tim në nivelet më të larta të shkencës dhe profesionalizmit në fushën e Endokrinologjisë, duke iu përkushtuar me korrektësi, integritet dhe mbi të gjitha, me faqe të bardhë,” ka shkruar ajo.
Profesoresha ka falënderuar kolegët, studentët, familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj profesional, të cilin e vazhdon me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. /Katror.info












